Ballina Rajoni Merret sot në shqyrtim kërkesa e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e...

Merret sot në shqyrtim kërkesa e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Europës

1

Aplikimi i Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Europës do të jetë këtë të hënë(24 prill) në axhendën e Komitetit të Ministrave. Lajmi u bë me dije një ditë më parë (23 prill) nga këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mbahet të hënën. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, shkroi Rejhan Vuniqi.

Kujtojmë se ditën e premte (21 prill), Ministrja e Jashtme Gërvalla pas një takimi me homologun suedez, u shpreh se kërkesa e Kosovës do të kalonte shumë shpejt nga Këshilli i Ministrave në Asamblenë Parlamentare, ndërsa theksoi se Kosova i ka votat e sigurta.

“Çfarë ka ndodhur ndërkohë, është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”, tha Gërvalla.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022. Fillimisht aplikimi shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe më pas fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.