DURRËS- Sherif Çela (Ismailaj), 43 vjeç, është vënë në prangat e policisë së Durrësit pasi u kap në flagrancë në ambjentet e një lokali me pistoletë me vete.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i tij u bë si finalizim i operacionit “Klienti” i cili erdhi si bashkëpunim i forcave të posaçme Shqiponja dhe policisë së Durrësit.
Si rezultat i këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Sherif Çela (Ismailaj), 43 vjeç, banues në lagjen Nr. 2, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 43-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal, për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Sherif Çela (Ismailaj), i cili në momentin e arrestimit ndodhej në ambientet e një lokali, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër pistolete dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.