Në teatrin “Bylis” është zhvilluar Asambleja e zgjeruar e Partisë Socialiste të fierit. Në këtë takim merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, i deleguari politik i qarkut të Fierit deputeti Taulant Balla dhe kryebashkiakut Armando Subashi ku në prani të 600 anëtarëve të kësaj asambleje u përmbyll procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për listën e këshillit bashkiak të Fierit në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë një takimit me mediet e Fierit, Taulant Balla është shprehur se janë zgjedhur edhe kandidatët për këshillin e ardhshëm bashkiak, emrat e të cilëve pritet të publikohen. Balla në këtë komunikim ka bërë të ditur që PS është regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 maji. Ai iu ka bërë thirrje gjithë forcave politike t’iu përmbahen të gjitha afateve të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e pushtetit vendor.
Duke folur për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve Balla ka bërë të ditur: “Kemi përmbyllur konsultimet për kandidatët në këshillin bashkiak të bashkisë së Fierit. Falënderim për të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces të hapur me propozimet e tyre. Është zhvilluar një proces dy mujor që nga fillimi i muajit janar deri më tani për të nxitur propozimet por edhe vetëkandidimet”.
Balla ka bërë të ditur se janë përzgjedhur profesionistë te fushave të ndryshme, të moshave të ndryshme, fierakë që japin një kontribut në jetën e përditshme të qytetit jo vetëm në sektorin publik, por më së shumti në atë privat të cilët janë vetëofruar, propozuar dhe që do të pasuronin me të gjitha vlerat përfaqësuese parlamentin vendor, por në mënyrë te veçantë listën që do të propozojë Partia Socialiste për këshillin bashkiak të Fierit në zgjedhjet e 14 majit.
Ai ka shprehur kënaqësinë për këtë risi në përzgjedhjen e listës së këshillit bashkiak Fier duke mos vepruar si më parë kur lista mbyllej në natën e fundit të depozitimit. “Tashmë është duke u administruar gjithë dokumentacioni renditja e të cilit do të bëhet duke respektuar rajonet e qytetit, por edhe njësit administrative për t’u depozituar më pas në KZAZ e Fierit” ka bërë të ditur mes të tjerave Taulant Balla. I pyetur për debatin e vulës së demokratëve Balla nuk ka komentuar aq më tepër që sipas tij vendimet e gjykatave nuk komentohen. Më pas Balla vijoi turin e takimeve me Asambletë e zgjeruara të Partisë Socialiste pas Fierit në Patos e Roskovec./Tv Kombi/