Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka përfunduar procesi zgjedhor në 4 komunat në veri të Kosovës, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq.
Në konferencën për shtyp u bë e ditur se procesi zgjedhor në këto katër komuna është zhvilluar normalisht dhe pa ndonjë pengesë.
Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, sipas KQZ, votuan 1.567 qytetarë, ose 3.47 për qind e votuesve. Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se “procesi është zhvilluar pa asnjë problem dhe se rezultatet e para pritet të publikohen në ueb-faqen e KQZ pas orës 20:00”.
Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas komunave:
Leposaviq: 141 votues apo 1.06 për qind
Zubin Potok: 385 votues apo 5.78 për qind
Zveçan: 204 votues apo 2.92 për qind
Mitrovicë e Veriut: 837 votues apo 4.62 për qind
Sipas të dhënave të raportuara më parë nga KQZ-ja, deri në orën 15:00 në komunën e Leposaviqit kishin votuar 110 votues (0.83%), në komunën e Zubin Potokut 240 votues (3.6%), në Zveçan 145 votues (2.07%) dhe në Mitrovicën e Veriut 597 votues (3.3%). Procesi zgjedhor u bojkotua nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Prokurori i Shtetit: Nuk kemi të evidentuar asnjë rast që përbën vepër penale
Ndërkohë edhe Prokurori i Shtetit i Kosovës, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka njoftuar opinionin publik se gjatë gjithë ditës ka mbikëqyrur procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat e Republikës së Kosovës, për kryetar të Komunës në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa të parakohshme për dy kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.
“Pas përfundimit të procesit të votimit dhe mbylljes së vendvotimeve ju njoftojmë se nuk kemi të evidentuar asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të votimit. Prokurori i Shtetit, do të vazhdoj të mbikëqyr procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi.”- thuhet në njoftim.
/rtsh.al/