Ballina Lajme Mbyllen hetimet për edukatoren që i theu këmbën 3 vjeçares, mund të...

Mbyllen hetimet për edukatoren që i theu këmbën 3 vjeçares, mund të dënohet deri në 20 vite burg

32

Majlinda Dehima, edukatorja e kopshtit privat “Stinët” në kryeqytet, është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës, dhe çështja penale kundër saj i ka kaluar për shqyrtim gjyqësor Gjykatës së Tiranës.

Sipas “Ora News”, vendimi për mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjyq është marë në fillim të muajit Prill 2024, ku tashmë pritet që edukatorja Dehima të përballet në gjykatë për akuzën e “Keqtrajtim të të miturit”, duke i sjellë pasoja të rënda në shëndet.

Kjo vepër penale parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim. Ndërkohë edukatorja Majlinda Dehima, vijon të qëndrojë në paraburgimin “Ali Demi” në Tiranë.

Majlinda Dehima u arrestua më 9 nëntor të vitit të kaluar, pas dorëzimit në Prokurori të akt-ekspertizës mjeko-ligjore, ndërkohë që ngjarja në fjalë kishte ndodhur që më 1 Nëntor.

Rasti i dhunës në kopshtin “Stinët” në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet u zbulua në emision “Stop” dhe solli jo vetëm indinjatën e opinionit publik, por zbuloi një zinxhir paligjshmërie. Pas denoncimit, kopshti rezultoi i palicensuar, i cili u mbyll më pas me vendim të Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kishin neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçares.

Policia nisui një hetim me krimin ekonomik edhe për çiftin e pronarëve të kopshtit “Stinët”, Dritan e Entela Danushi, ku i pari u procedua penalisht për veprat penale “ushtrim pa licensim të veprimtarisë”, “fshehje financiare” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”. Edhe pse pa licensë, kopshti “Stinët” lulëzonte përballë autoriteteve që kishin “mbyllur sytë”.

Në dëshmitë e dhënë për grupin hetimor, edukatorja Majlinda Dehima pretendonte se e mitura e kishte thyer vetë këmbën në hapësirën e krevatit, dhe se ajo nuk e kishte prekur, por pamjet e kamerave të sigurisë tregonin tjetër gjë, duke çuar dhe në arrestimin e saj.