AZHBR njoftoi për mbylljen e aplikimeve për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi.
Sipas agjensisë në portalin e-Albania kanë mbërritur 68,500 aplikime.
Qarku me numrin më ta lartë të aplikimeve është ai i Fierit, pasuar nga qarku i Korçës.
Brenda 15 ditësh, aplikimet e kualifikuara do të publikohen në faqen zyrtare të AZHBR- së, www.azhbr.gov.al.
Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë dhe naftën pa akcizë nisën më 20 mars.
Udhëzimi i përbashkët i ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përcaktonte se mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave, nga 5 masa mbështetëse që u zbatuan në 2022.
Për herë të parë këtë vit u aplikua edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.
Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100,000, në vitin e dytë dhe tretë 150,000 lekë dhe 200,000 për fermë të certifikuar.
Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3,3 miliardë lekë. Në 2022 mbështetja mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4,9 miliardë lekëve. Fillimisht fondi i miratuar ishte 3,7 miliardë lekë, duke iu shtuar edhe 1,2 miliardë lekë në mesin e vitit për zbatimin e masës së re për dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha të atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.
Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022.
/ rtsh.al /