Ballina Lajme Politike Mbi 3 orë në SPAK, Balla: U paraqita për çështjen Partizani, një...

Mbi 3 orë në SPAK, Balla: U paraqita për çështjen Partizani, një prej aferave më korruptive

0

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka qëndruar mbi tre orë në ambientet e SPAK ku u paraqit si person në dijeni mbi procesin e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani” përgjatë periudhës së qeverisjes Berisha.

Balla shpreson që drejtësia për këtë çështje të shkojë deri në fund, ndërsa e konsideroi si një prej aferave më korruptive të përdorimit të detyrës për interesa personale.

“Unë kam qenë shpesh në këtë institucion për të depozituar kallëzime penale si person që kam pasur dijeni apo kam akuzuar persona me pushtet edhe kur kam qenë në opozitë dhe tani si kryetar grupi. Shpresoj që prokuroria ti shkojë deri në fund akuzave qoftë ajo për Partizanin ku besoj që gjëja do shkojë deri në fund.

Kam bërë kallëzim edhe për OSSH pas hetimit parlamentar.  Dua që ti qëndroj angazhimit përpara prokurorëve që çështjet të mbeten pjesë e procesit hetimor. Unë shpresoj të ketë zhvillime, një prej rasteve tipike të korrupsionit të përdorimit të detyrës nga ana e vjehrrit në drejtim të dhëndrit. I kam dhënë fjalën prokurorëve dhe BKH se nuk do flas me detaje”, tha Balla.

Sipas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla, ka të bëjë një pronë me rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës në vitin 2008 e më pas që është privatizuar me një vlerë prej 100 mijë dollarë. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ku sot janë 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek ish- Fusha e Aviacionit.

Sakaq, Balla bëri me dije se edhe të enjten (8 qershor) do të paraqitet në GJKKO për padinë penale ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Kam bindjen se dhe nesër do jem këtu në orën 11:30 në derën tjetër ku kam bërë padi penale ndaj Berishës për deklarimet e tij. Ky standard duhet vendosur nga të gjithë ne politikanët.

Në momentin që ndaj teje ngrihet një akuzë duhet ta adresosh qoftë në SPAK qoftë në GJKKO”, tha Balla.

Pyetur mbi arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, Balla u shpreh se Kryeministri Edi Rama ka qenë i qartë në këtë aspekt, ndërsa shpreson që drejtësia e re të vendosë përpara drejtësisë personat ndaj të cilëve janë depozituar kallëzime.

Rama ka qenë i qartë në këtë aspekt. Dua që t’i kërkoj drejtësisë së re te e cila kemi besim SPAK dhe GJKKO, që dhe këto çështje për të cilat vij unë, një ditë të mbyllen dhe personat ndaj të cilëve kemi bërë kallëzime të vihen përpara drejtësisë”, tha Balla.

/rtsh.al/