Mbi 1600 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë ende nuk janë gjetur pas më shumë se 20 vite nga mbarimi i saj.
Në një njoftim për mediat, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka bërë të ditur se KNKK do të vazhdojë të qëndrojë pranë tyre gjatë këtyre kohërave të vështira.
Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, shefi i misionit të KNKK-së në Kosovë, Agim Gashi, u shpreh se “plagët e familjeve të personave të zhdukur mbeten të pashëruara. Ditë pas dite, familjet vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe paqartësi, pa e ditur se çfarë ka ndodhur me bashkëshortët, fëmijët apo të afërmit e tyre”.
“Ne nuk kemi kursyer asnjë përpjekje për t’ua lehtësuar vuajtjet e tyre dhe do të vazhdojmë t’i shoqërojmë të gjitha përpjekjet për zbardhjen e vendndodhjes së personave të zhdukur. Familjet do të gjejnë ngushëllim vetëm pasi të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre”, theksoi Gashi.
Gashi ka shpjeguar se “është obligim i yni që t’i mbështesim të gjitha nismat që për qëllim kanë zbardhjen e fatit të të gjithë personave që mbeten të pagjetur në Kosovë, pa dallim”.
Duke iu referuar së drejtës ndërkombëtare humanitare, ish-palët në konflikt janë të detyruara që të japin informacione për fatin dhe vendndodhjen e personave që janë zhdukur në territoret që kanë qenë nën kontrollin e tyre.
/rtsh.al/