Tiranë- I hoqi lirinë, për një javë, bashkëjetueses së tij, dhe e dhunoi vazhdimisht atë, me sende të forta, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që po mbante me forcë bashkëjetuesen e tij, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Locked”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i:
G. G., 31 vjeç, B. N., 36 vjeç, A. Sh., 41 vjeç, B. K., 27 vjeç, E. K., 42 vjeç, të pestë banues në Tiranë.
G. G. i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.
Shtetasit B. N. dhe A. Sh. nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa B. K. dhe E. K., (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.
28-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.