Ballina Lajme Masakra me 3 gra të vrara, Dan Hutra del para gjykatës

Masakra me 3 gra të vrara, Dan Hutra del para gjykatës

2

Autori që vrau tre gra dhe tre të tjera i plagosi, Dan Hutra ka dalë ditën e sotme para gjykatës ku pritet tw caktohet masa e sigurisw. Seanca zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, ku 40-vjeçari do të njihet me masën e sigurisë.

Krimi i Dan Hutrës tronditi mbarë opinionin publik, i cili me plumbat e kallashnikovit u mori jetën 3 grave të pafajshme dhe plagosi 3 të tjera në Tiranë. Dan Hutra, një ish- i dënuar për vrasje, u arrestua pas rreth 7 orësh në arrati pranë landfillit të Sharrës, i armatosur me kallashnikov.

Hutra akuzohet për 5 vepra penale, ‘Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave’, ‘Vrasje me paramendim’, ‘Vrasje e mbetur ne tentative’, ‘Plagosje rëndë me dashje’, ‘Armëmbajtje pa leje’.

Skema si ndodhën vrasjet 

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Theksojmë se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko” Policia e Shtetit ka marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.

Kush është Dan Hutra?

Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale! Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.