Ballina Lajme Masakra e Reçakut/24 vjet nga krimi barbar serb, sot mbahen homazhe në...

Masakra e Reçakut/24 vjet nga krimi barbar serb, sot mbahen homazhe në Kompleksin memorial

1

Kosova përkujton ditën e sotme 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar të vitit 1999 u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë nga forcat serbe të Millosheviçit.

Në atë kohë ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe filluan të bombardojnë fshatin me artileri të rëndë.

Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviçit.

Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi teksa bota e pa përmes televizioneve krimin e forcave serbe. Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

Homazhet

Në përkujtim të Masakrës së Reçakut, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori William Walker do të bëjnë homazhe në Kompleksin memorial të Reçakut në orën 10 të paradites së sotme.

Më pas krerët e shtetit dhe diplomati amerikan, ish-kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë, do të marrin pjesë në akademinë përkujtimore në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut e cila do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Homazhe pritet të bëjnë edhe autoritetet lokale si dhe përfaqësues të partive politike si dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

/rtsh.al/