Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për tu arritur një marrëveshje me Serbinë duhet një trysni shtesë mbi Beogradin zyrtar, i cili siç ka thënë ai, e ka goditur politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së duke bërë marrëveshje me Rusinë.
“Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen me një marrëveshje ndëkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme, e cila e ka njohjen reciproke në qendër dhe për këtë insistojmë edhe ne edhe aleatët dhe partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini që njohjen reciproke e ka kërkuar edhe kancelari gjerman Olaf Scholz dhe këtë e ka bërë edhe në Beograd, por edhe e ka afirmuar në Prishtinë. Unë jam optimist, por ajo çfarë duhet të ndodh për këtë marrëveshje është trysni shtesë mbi Beogradin, i cili duke bërë marrëveshje me Federatën Ruse për bashkërendim të politikës së jashtme e goditi në mënyrë të paskrupull politikën e jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian, që kërkon sinkronizim, harmonizim të të gjitha vendeve anëtare dhe të atyre të cilët aspirojnë që të bëhen anëtarë në Bashkimin Evropian. Natyrisht Kosova është e tillë”, tha Kurti.
/rtsh/