Pas spitalit Memorial të Fierit, aplikimi i autonomisë spitalore do të nis me QSUT, spitalin e Durrësit dhe atë të Shkodrës. Gjatë prezantimit të objektivave për 2023, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se kjo do të bëhet në bashkëpunim me Turqinë, e cila do të ndihmojë në përgatitjen e programit që do të çojë më pas në autoniminë spitalore.
Manastirliu tha se autonomia spitalore do të nxis përmirësimin e performancës së shërbimeve dhe do të rrisë pagat e mjekëve.
“Do të fillojmë me autonominë spitalore ku pilotimi që po bëhet në spitalin memorial në Fier, do nis edhe për spitale të tjera si QSUT, spitalit Durrësit dhe Shkodrës, ku do të kenë një mbështetje nga Turqia për përgatitjen e strategjisë për autonominë spitalore për përmirësimin e performancës dhe eficensës së shërbimeve spitalore dhe për krijimin e incetivave më të mëdha financiare”, tha Manastirliu.
Lidhur me fenomenin e largimit të mjekëve, Manastirliu tha se ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në Shqipëri dhe se gjatë 2022 janë punësuar 335 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë për plotësimin e nevojave të spitaleve në vend.
“Ky është një fenomen jo I izoluar vetëm për Shqipërinë, por ka prekur rajonin dhe europën në masë. Lëvizja e lirë ka sjellë vakanca në sistemet shëndetësore. Përgjatë 2022, 335 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë janë punësuar në sistemin shëndetësor duke plotësuar nevojat në spitalet në vend. Më shumë se 950 infermierë që janë punësuar gjatë 2022. Përballja me këtë fenomon është një betejë e përditshme, nuk ka zgjidhje të shpejta, është një punë e përditshme në shumë drejtime, që nga fuqizimi I burimeve tona njerëzore, investimet në sistem, në përmirësimin e kushteve të punës, në hapjen e specializimeve të përvitshme”, tha Manastirliu.
/rtsh.al/