Shpopullimi i Mallakastrës, një fenomen i frikshëm që vazhdon ende me ritme të larta Bashkia Mallakastër shtrihet në një sipërfaqe prej 329.19 km² dhe përbëhet nga nëntë njësi administrative. Në bazë të statistikave të vitit 2011, sipas censusit, regjistronte 27,062 banorë ose 82.2 banorë/km², ndërsa sipas regjistrit të Gjendjes Civile popullsia është 43.033 banorë. Referuar statistikave zyrtare të INSTAT, në vitin 2017 në Mallakastër janë regjistruar 238 lindje dhe 199 vdekje. Për vitin 2018 janë shënuar 200 lindje dhe 193 vdekje, ndërsa për vitin 2019 janë më shumë vdekje se lindje, në shifra, 175 lindje dhe 197 vdekje. Viti 2019 tregon qartë se shtesa natyrore është nën zero në Bashkinë Mallakastër. Problemet ekonomike, papunësia në nivele tepër të larta dhe mungesa e infrastrukturës janë ato që detyrojnë të largojnë një të ri ose të re, apo një familje të gjithë nga Mallakastra. Braktisja masive vitet e fundit në Mallakastër ka vijuar me ritme të larta ndërsa është reflektuar me uljen e numrit të lindjeve dhe uljen e numrit të nxënësve në shkolla dhe kopshte. Situata nuk njeh përmirësim dhe Mallakastra po përballet me një krizë demografike. Sipas një raporti të nxjerrë nga Bashkia Mallakastër në vitin 2018, tregon se të treja shkollat 9-vjeçare në Ballsh kanë kapacitete për 2,067 nxënës por realiteti është ndryshe, pasi çdo vit rënia e numrit të nxënësve që i frekuentojnë është në zbritje. Mbyllja e uzinës në Ballsh është një faktor plus për largimin e shumë banorëve nga Ballshi, sepse mundësia për të gjetur një punë në qytetin ku jetuan dhe punuan një kohë të gjatë është shumë e ulët. Në shumë fshatra të Mallakastrës gjen vetëm të moshuar sepse të rinjtë kanë kohë që kanë ikur jashtë shtetit, në kërkim të një jete më të mirë.Mallakastra News