Tre kandidatë janë futur në garën e zgjedhjeve të 14 majit për kryetar të bashkisë së Mallakastrës. Partia Socialiste me Qerim Ismailaj kryetarin aktual të kësaj bashkie, me Agron Kapllanaj i cili do të kandidojë nën logo të Partisë Demokratike dhe Resmi Shanaj si pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Në këto zgjedhje demokratët janë të ndarë në dy kampe dhe përveç akuzave për kandidatin socialist Qerim Ismailaj lëshojnë akuza jo të pakta edhe ndaj kandidatit Agron Kapllanaj duke e cilësuar të blerë nga tenderat e qeverisë socialiste. Pas Berishës është shënuar dhe akuza e Shefit të Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu sipas të cilit kandidati i Alibeajt në Mallakastër mori 200 mln lekë tender në shkelje të ligjit duke e quajtur një shpërblim të Agron Kapllanaj nga dyshja Rama-Veliaj.
Sipas Balliut kompania e kandidatit Agron Kapllanaj është duke u favorizuar me tendera nga qeveria për të favorizuar fushatën e Alibeajt në Mallakastër. Por përballë këtyre akuzave Kapllanaj thotë se në të vërtetë Ramës i shërben Berisha, duke shtuar se ai u rikthye në politikë me premtimin se nuk do e përziente Partinë Demokratike me çështjet e tij personale.
Ndërsa demokratët përplasen mes njeri-tjetrin kandidati socialist Qerim Ismailaj vazhdon të reklamojë punët dhe arritjet e tij duke pasur kështu një avantazh më shumë për të vazhduar garën e tij me një kundërshtar të dobët nga ana numerike të votuesve në zgjedhjet e 14 majit.
/Tv kombi/