Ballina Lajme Lumi Vjosa, Park Kombëtar/ Rama: 80 mln $ për pastrimin nga ujërat...

Lumi Vjosa, Park Kombëtar/ Rama: 80 mln $ për pastrimin nga ujërat e zeza

1

80 milionë dollarë do të vihen në dispozicion për kanalizimet dhe pastrimin e ujërave të zeza në lumin Vjosa. Këtë deklaroi kryeministri Edi Rama në prezantimin e Lumit si Park Kombëtar.

“Shqipëria është i vetmi vend në Evropë sot me një moratorium absolut për gjuetinë. Vendosëm ta ndalojmë gjuetinë dhe tani kemi ripërtëritje të ndejshme dhe shumë frymëzuese të faunës sonë në të gjithë territorin. Shqipëria është në moratorium të pyjeve. Por kjo nuk mjafton. Na duhet një tjetër reforme për menaxhimin e pyjeve. Për t’i kthyer pyjet në mirëqenie, për brezat që do të vijnë.

Presim që ky park të jetë qendër e projekteve, të punimit shkencor, të studimeve dhe përpunimit, për mënyrën se si duhet menaxhuar në shekullin e 21 një park kombëtar i këtyre përmasave. Jemi në një bashkëbisedim shumë inkurajues me fqinjët tanë, me Greqinë për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit dhe për ta trajtuar këtë territor si një pasuri të përbashkët dhe për të investuar bashkërisht, në radhë të parë dijen e më pas financat.

Janë 80 milionë dollarë që do të vendosen në dispozicion të këtij parku. Kjo për të bërë të mundur që të gjitha bashkitë dhe të gjitha komunitetet e këtyre bashkive të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë. Kjo do të thotë një projekt masiv për kanalizimet në të gjitha këto bashki. Edhe pastrimin dhe përpunimin e ujërave të zeza. Pjesë e kësaj shumë do të jenë edhe mbështetjet financiare me grante apo me kredi shumë të buta për bizneset që do të zhvillohen në këtë territor. Normalisht do të jenë biznese të reja dhe biznese pranë natyrës jo kundër saj”, deklaroi Rama.

Sipërfaqja totale e shpallur Park Kombëtar është 12 727 hektarë.