Me një përvojë skenike të gjatë dhe role që janë rrënjosur thellë në kujtesën e çdo shqiptari, aktori mjeshtër i karakterit dhe një loje krejt origjinale, Luftar Paja, “Artisti i popullit”, në 45 vjet jetë artistike, ka interpretuar në shumë gjini.
Gjithmonë vlerësuar shumë pozitivisht, por dalluar në interpretimin e mjaft roleve të karaktereve: 700 role mbi supe dhe 130 premiera estrade, janë vite pune dhe pasioni.
Aktori i mirënjohur nuk ka qëndruar indiferent ndaj debatit,.. mbi ndalimin e filmave të kohës së komunizmit, pa hezituar që të jetë i vërtetë, i sinqertë dhe objektiv.
Ai vëren dhe shprehet: “Pas vitit 1990, ky mendim ndaj kinematografisë është më i turpshmi, që kam parë dhe dëgjuar. Pse e them këtë? Nuk po merren vetëm me artistët që bënë atë art të madh e të papërsëritshëm, por fyhen në mënyrë të paimagjinueshme, të gjithë qytetarët e këtij vendi, që janë edukuar me ata filma dhe vazhdojnë t’i pëlqejnë”.
“Këta që nuk duan kinematografinë, janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia ka etapat e veta, që nuk mund të zhbëhen”, tha ai kohë më parë.
“Këta thonë, të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, çfarë do të bëhet? Prite kur të dalin ndonjë ditë, këta myteberë, që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se, pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare”.
- Por, le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta, që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë, që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë. Unë, Luftar Paja, u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do të bashkohem me ju, t’i ndalojmë filmat që doni ju”./observerkult/Revistaai