Kosova pritet të organizojë në vitin 2030 Lojërat Mesdhetare, ngjarjen më të madhe sportive rajonale, pas Lojërave Olimpike, me mbi 3,000 sportistë që marrin pjesë nga 26 vende. Në Tarragona të Spanjës në verën e vitit 2018, ajo ka debutuar me 3 medalje të arta e një të argjendtë në Lojërat Mesdhetare, me xhudistët Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Në Oran të Algjerisë, verën e kaluar, numri i medaljeve të Kosovës në Lojëra Mesdhetare u rrit në 6, prej të cilave tri të arta.
Të artat sërish i fituan xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Flaka Loxha e Akil Gjakova fituan medalje të bronzta në xhudo, ndërsa një të bronztë e fitoi edhe boksieri Shpejtim Bajoku. Ndërkaq, në Taranto të Italisë, në vitin 2026, Kosova do të synojë më tepër medalje se në Oran. Por, më shumë se kaq, ajo do të kërkojë që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Kosovë. Komiteti Olimpik i Kosovës, e ka paraqitur tashmë kandidaturën që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë.
Këto Lojëra janë një eveniment shumësportësh, ku marrin pjesë sportistë nga dhjetëra vende nga Evropa, Azia e Afrika, që lagen nga deti Mesdhe. Ato mbahen çdo katër vjet, ndërsa organizohen nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG). Ky Komitet ka konfirmuar kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, teksa afati i fundit për të shpallur kandidaturën ishte 31 marsi.
“Komiteti Olimpik i Kosovës ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030 në kryeqytetin e vendit, Prishtinë dhe duhet të dorëzojë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të ketë vizita inspektuese në këtë vend”, shkruan në njoftimin e ICMG-së. Dhe, më 8 shtator, në Heraklion të Greqisë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, pritet që Kosova të zyrtarizohet si mikpritëse e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.
Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, shumëmilionë-Eurosh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend. Në Lojërat e fundit Mesdhetare, të mbajtura vjet në Oran të Algjerisë, morën pjesë 3.298 sportistë. Është garuar në 24 sporte të ndryshme, në 234 disiplina gjithsej, ndërsa në disa sporte paraqiten më të mirët e 26 vendeve pjesëmarrëse.
Në programin e Lojërave Mesdhetare aktualisht janë sporte si: noti, atletika, xhudoja, basketbolli, boksi, futbolli, gjimnastika, hendbolli, volejbolli, karateja, mundja e sporte të tjera.
Lajmet e fundit

Kosova, vetëm 1-1 në shtëpi me Andorrën
