Ballina Lajme Ligji për hapjen e dosjeve, Balla: Propozimi i PD bën sens, gati...

Ligji për hapjen e dosjeve, Balla: Propozimi i PD bën sens, gati të shkojmë me zgjidhje të përbashkët

1

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, i ka shtrirë dorën opozitës që së bashku me PS të bëjnë bashkë ligjin për hapjen e dosjeve. Propozimi i opozitës, theksoi Balla, bën sens dhe PS është e hapur për diskutime.

Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, dy propozimet si nga ana e PS, ashtu dhe nga PD, duhet të bashkohen për të shkuar me një zgjidhje konkrete, ligjore. Më tej, ai theksoi se, kush ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit, nuk mund të jetë në politikë.

 “Sikurse e dëgjuat dhe nga Alibeaj, ka vullnet politik për të ngritur këto mekanizma ndalues me fuqi prapavepruese. Varianti ynë ka qenë ndërhyrje në ligjin për dekriminalizimin. Nëse rezulton se ke qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit, humb mandatin.

Propozimi i opozitës, t’iu them të drejtën, bën sens. Nuk përdoret ligji i dekriminalizimit, por një ligj i posaçëm që ndërhyhet përmes Autoritetit të Dosjeve i cili ka fuqi verifikuese dhe merr vendimin përfundimtar.

Ajo që na duhet, është ti bëjmë bashkë dy propozimet që të shkojmë në një zgjidhje konkrete, ligjore. Propozimi ynë është i hapur për tu diskutuar bashkë me atë të PD. Pas 32 vitesh na duhet t’i japim fund. Besoj se miratohet brenda këtij sesioni”, tha Balla.

/rtsh.al/