Qeveria britanike është duke bërë gati ligjin që ndalon çdo emigrant të hyjë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë prej këtyre emigrantëve janë nga Shqipëria. Emigrantët shqiptarë që kalojnë ilegalisht kufirin me gomone për në Angli u shndërruan në çështje diskutimi përgjatë vitit të kaluar.
Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, BBC ka kryer një analizë të fenomenit të emigrancionit shqiptar. Vetë kryeministri britanik Rishi Sunak e ka cilësuar Shqipërinë si një vend të “sigurt dhe të begatë”, sesa vendet e tjera, emigrantët e të cilave kërkojnë të ardhmen e tyre në Britaninë e Madhe.
Sipas kësaj analize përgjatë vitit 2022, në Britaninë e Madhe kanë hyrë 12 mijë e 301 shqiptarë duke nisur që nga kalimet me gomone.
Shumë prej tyre janë të rinj, ku sipas shifrave të Eurostat, përfaqësojnë rreth 1% të meshkujve në moshë pune në Shqipëri.
“Rritja ka qenë eksponenciale dhe ne mendojmë se kjo vjen kryesisht për shkak të faktit se bandat kriminale shqiptare kanë krijuar bazën e tyre në veri të Francës”, shprehet Dan O’Mahoney në Ministrinë e Brendshme britanike, që monitoron kalimet klandestine.
Grafiku që tregon kombësitë e atyre që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar. Shqipëria mban shifrën më të lartë me 12 mijë e 301 persona e ndjekur nga Afganistani me 8,633 dhe Irani me 5,642.
Sa emigrantë shqiptarë u jepet azil?
Në vitin 2022, 85% e shqiptarëve të mbërritur me gomone kanë paraqitur kërkesën për azil. Vetëm 68 prej tyre (0.7%) kanë filluar procedurat por asnjërit nuk i është dhënë statusi i refugjatit apo ndonjë lloj tjetër leje qëndrimi.
Në përgjithësi, pranohen 53% e kërkesave shqiptarët. Shumica prej tyre janë nga gra dhe fëmijë. Agjencia Kombëtare Kundër Krimit (NCA) ka thënë se disa prej emigrantëve shqiptarë pretendojnë se janë viktima të trafikimit, duke përdorur letra standarde për të aplikuar për ndihmë.
Në vitin 2022, 13% e shqiptarëve që mbërritën me gomone u përfshinë në statistikat e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për skllavërinë moderne.
Ky është një numër më i lartë se për çdo vend tjetër. Emigrantët e tjerë shqiptarë zhduken dhe punojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Shqiptarët mund të aplikojnë për të hyrë në Britani me vizë për turizëm, biznes apo studim. Në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar aplikuan për vizë 31.965 nga shtetas shqiptarë dhe vetëm 22.359 prej tyre e fituan, sipas shifrave të Home Office.
Në nëntë muajt e parë të vitit 2022, Franca përpunoi më shumë kërkesa për azil nga shqiptarët sesa Britania e Madhe, por shumica e tyre u refuzuan.
Gjermania dhe Greqia ishin vendet e radhës, të ndjekura nga Britania e Madhe, e cila dha azil në një shkallë dukshëm më të lartë se të tjerët, përveç Republikës së Irlandës.
Një ekspert i migracionit vuri në dukje se disa vende kanë qenë më të shpejta në marrjen e vendimeve për azilin sesa Britania e Madhe, duke theksuar se “në tremujorin e tretë [korrik deri në shtator 2022] të këtij viti, Franca mori mbi 31,000 vendime fillestare. Ky është i njëjti numër si në 7 tremujorët e fundit në UK.”
Vendet e BE-së duket se e kanë pasur të vështirë të kthejnë azilkërkuesit në vendet e tyre të origjinës, megjithëse nuk ka statistika të krahasueshme për këtë.
Sa shqiptarë kthehen mbrapsht nga Britania e Madhe?
Në 12 muajt deri në fund të shtatorit 2022, rreth 900 shqiptarë u kthyen mbrapsht nga Britania e Madhe, ku 469 të tjerë u kthyen vullnetarisht.
Shqiptarët përfaqësonin numrin më të lartë të të huajve të kthyer mbrapsht në vitin 2022. Më 12 janar 2023, Mbretëria e Bashkuar deportoi 43 persona në Shqipëri, 27 prej tyre kishin kryer vepra penale sipas Ministrisë së Brendshme.
Nga ana e tij, kryeministri britanik Sunak ka thënë se dëshiron të rrisë numrat e kthyer në Shqipëri duke ngritur një njësi me 400 specialistë për të përpunuar çështjet shqiptare, dikush duhet të përmbushë disa kritere për t’u konsideruar viktimë e “skllavërisë moderne”, udhëzim i ri për punonjësit që të kenë parasysh se Shqipëria është një “vend i sigurt” dhe vendosja e zyrtarëve kufitarë të Mbretërisë së Bashkuar në aeroportin e Rinasit në Tiranë.
Çfarë i bën shqiptarët të largohen nga Shqipëria?
Më 7 dhjetor 2022, ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe Qirjako Qirko deklaroi se disa prej emigrantëve shqiptarë vijnë në Britaninë e Madhe për të kërkuar mundësi biznesi. Ai pohoi gjithashtu se disa prej tyre priteshin të ishin viktima të skllavërisë moderne.
Duke folur para të njëjtit komision të deputetëve, eksperti i Ballkanit Andi Hoxhaj vlerësoi se rreth 40% e njerëzve largohen nga Shqipëria për shkaqe ekonomike.
Tre dekada pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60% e popullsisë së rritur të vendit ka shprehur vazhdimisht dëshirën për t’u larguar, sipas një sondazhi të Gallup të publikuar në dhjetor të vitit 2018. Shkaqet sipas tyre janë korrupsioni, pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe cilësia e ulët të jetës.
Të ardhurat mesatare vjetore neto të familjes në Shqipëri ishin vetëm 1,997 euro në 2018, sipas shifrave më të fundit të disponueshme nga Eurostat, që në Britaninë e Madhe ishte 21,464 euro. Papunësia e të rinjve shqiptarë (të moshës 15-29 vjeç) është 20%.
Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE ndërsa negociatat u hapën në korrik të vitit 2022. Aktualisht, qytetarët shqiptarë mund të hyjnë pa viza në BE dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore si turistë – por ata nuk kanë të drejtë automatike për të punuar, studiuar apo jetuar atje.
Bandat shqiptare dhe trafiku i drogës
Duke informuar deputetët britanikë për emigrantët shqiptarë, O’Mahoney tha se “ka padyshim njerëz që kanë nevojë për ndihmën tonë – por ka edhe një numër të madh të atyre që po luajnë me sistemin tonë”. Ai theksoi këtu rolin e bandave kriminale shqiptare në Britaninë e Madhe.
Sipas NCA, këto banda janë përgjegjëse për krijimin e fermave të kanabisit në shkallë industriale në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë gjithashtu lojtarë kryesorë në tregun e kokainës prej 5 miliardë paundësh në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas një raporti të Balkan Insight nga gushti i vitit të kaluar, ka pasur një rritje të llogarive anonime në rrjetin social, Tik-Tok nga ana e shqiptarëve Britaninë e Madhe.
Në Tik-Tok reklamohen ofertat e ndryshme për të dërguar emigrantët në Britaninë e Madhe, duke i kaluar ata nga Franca me gomone dhe me kamion nga Belgjika, me një kosto prej 2 mijë deri në 5 mijë paund për secilën prej këtyre kalimeve ilegale.
Operacionet e policisë kanë çuar në arrestime të shumta të shqiptarëve të dyshuar për trafik të qenieve njerëzore.
Në vitin 2021, Home Office zgjati programin e saj të Parandalimi për të bërë të mundur ndalimin e adoleshentëve shqiptarë, të cilët rrezikoheshin nga bashkimi me bandat që trafikonin njerëz dhe kokainë në Britaninë e Madhe.
Shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të shtetasve të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë në një postim në Twitter se: “Mbretëria e Bashkuar duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave”.
/rtsh.al/