Ballina Lajme Ligj i ri për përmbaruesit shtetërorë, kushtet e emërimit, pagesat, shkeljet disiplinore...

Ligj i ri për përmbaruesit shtetërorë, kushtet e emërimit, pagesat, shkeljet disiplinore dhe praktikat e ndaluara

1

Përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë në të gjithë vendin, nuk do ta kenë më të lehtë për të ushtruar detyrën në kundërshtim me ligjin, apo ta interpretojnë atë në mënyrë subjektivite.

Për një kohë të gjatë ky shërbim ka qenë në qendër të kritikave jo vetëm të qytetarëve, por edhe të institucioneve, lidhur me mënyrën, zbatimin apo interpretimin e vendimeve gjyqësore.

Nisur nga kjo situatë, Ministria e Drejtësisë është detyruar të ndërhyjë me ligj, duke pasur si objektiv përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror, kushtet që duhet të përmbushin shtetasit për të ushtruar detyrën e përmbaruesit gjyqësor shtetëror, statusin, vlerësimin etik dhe profesional të tyre, procedimin disiplinor, përfundimin e marrëdhënies në shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror, si dhe marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe me subjektet e tjera publike dhe private, shkruan rtsh.al.

Fusha e zbatimit

Ligj në fjalë do të zbatohet për përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë, që kryejnë veprimtarinë përmbarimore për ekzekutimin e titujve ekzekutivë në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, Kodin Civil dhe aktet e tjera ligjore, si dhe për subjektet e tjera publike dhe private, që përfshihen në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm.

Ky ligj zbatohet edhe për veprimtaritë dytësore që kryen përmbaruesi gjyqësor shtetëror, si:

a) kryerja e njoftimit të akteve gjyqësore dhe dokumenteve zyrtare;

b) njoftimi dhe mbledhja e detyrimeve financiare me mirëkuptim, me kërkesë të të interesuarve;

c) kryerja e konstatimeve të fakteve, sendeve dhe dukurive lehtësisht të verifikueshme, që nuk kërkojnë njohuri specifike teknike, sipas legjislacionit në fuqi, me kërkesë të të interesuarve;

ç) shitja e sendeve në ankand publik, me kërkesë të të interesuarve.

Kushtet e emërimit për përmbaruesit

Sipas ligjit, kushtet për emërimin e përmbaruesit gjyqësor shtetëror Shtetasi, që kërkon të emërohet si përmbarues gjyqësor shtetëror, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;

c) të ketë përfunduar programin e ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi brenda vendit ose diplomë të njësuar me të, ose të ketë përfunduar studimet universitare për drejtësi jashtë vendit, të njohur dhe njësuar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë;

ç) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor penal të formës së prerë;

d) të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë;

dh) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

e) të ketë të paktën 3 (tre) vjet përvojë profesionale si jurist;

ë) të ketë integritet moral të lartë;

f) të ketë kaluar me sukses provimin e pranimit për përmbarues gjyqësor shtetëror.

Periudha e provës

Kandidatët fitues i nënshtrohen një periudhe prove që zgjat 6 muaj nga data e aktit të emërimit të ministrit.

Gjatë periudhës së provës, përmbaruesi gjyqësor shtetëror kryen detyrat nën kujdesin e një përmbaruesi të vjetër në detyrë dhe i nënshtrohet trajnimit të detyrueshëm.

Përmbaruesi gjyqësor shtetëror gjatë periudhës së provës gëzon të drejtat dhe detyrimet e përmbaruesit gjyqësor shtetëror, të përcaktuara në këtë ligj dhe në akte të tjera, shkruan rtsh.al.

Në fund të periudhës së provës, ministri, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të Përmbarimit, vendos:

a) emërimin përfundimtar si përmbarues gjyqësor; ose

b) largimin nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.

Vendimmarrja, bazohet në çdo rast në vlerësimin e rezultateve në punë nga përmbaruesi gjyqësor mbikëqyrës dhe në rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të trajnimit.

Konflikti i interesit

Përmbaruesi gjyqësor shtetëror është i detyruar të mos pranojë ekzekutimin e çështjes ose të heqë dorë nga ekzekutimi, nëse ka filluar, nëse ai ka marrë dijeni ose duhet të kishte marrë dijeni për ekzistencën e një shkaku, që tregon një konflikt interesi, kur:

a) ka një interes në çështjen përkatëse ose në një çështje tjetër, që ka lidhje me atë në ekzekutim;

b) ai vetë ose bashkëshortja e tij është e afërt deri në shkallë të katërt apo krushqi deri në shkallë të dytë ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët në proces ekzekutimi ose me përfaqësuesit;

c) ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor a në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve në proces ekzekutimi ose njërin prej përfaqësuesve;

ç) është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një ent, shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër, që ka interesa për çështjen në ekzekutim;

d) në çdo rast tjetër kur vërtetohen, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie.

Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga ekzekutimi i çështjes nga përmbaruesi gjyqësor, i cili ka dijeni ose duhet të kishte marrë dijeni për ekzistencën e konfliktit të interesit, konsiderohet shkelje disiplinore, shkruan rtsh.al.

Heqja dorë nga ekzekutimi

Përmbaruesi gjyqësor shtetëror, i cili vlerëson me ndërgjegje se ka arsye për të mos marrë pjesë në ekzekutimin e një çështjeje për shkak të konfliktit të interesit, i paraqet menjëherë kërkesën për heqje dorë nga ekzekutimi i çështjes kryetarit të zyrës përmbarimore.

Kryetari i zyrës përmbarimore, kur e vlerëson me vend kërkesën, urdhëron zëvendësimin e tij me një tjetër përmbarues gjyqësor të asaj zyre përmbarimore brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës. Për kryetarin e zyrës përmbarimore, zëvendësimi urdhërohet nga drejtori i përgjithshëm i Përmbarimit.

Praktika të ndaluara

Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, përmbaruesi gjyqësor shtetëror nuk duhet të kryejë veprime që cenojnë subjektet, që u nënshtrohen procedurave të ekzekutimit.

Ndalohet veçanërisht kryerja e veprimtarive të mëposhtme:

a) përdorimi i paligjshëm i forcës ndaj subjekteve fizike, që i nënshtrohen ekzekutimit të detyruar apo pasurisë së tyre;

b) kërcënimi fizik apo presioni psikologjik ndaj subjektit, palë në procedurë ekzekutimi;

c) përdorimi i fjalëve të pahijshme, që cenojnë reputacionin apo dinjitetin e subjekteve, që i nënshtrohen ekzekutimit të detyruar;

ç) angazhimi në ndonjë praktikë të ndaluar ose përdorimi i ndonjë metode të pandershme në mbledhjen e detyrimeve, në kundërshtim me dispozitat ligjore; çdo veprim tjetër me karakter mashtrues, i cili do të komprometonte rëndë besimin e palëve dhe integritetin moral të përmbaruesit gjyqësor;

dh) angazhimi i personave të tjerë të paemëruar për ushtrimin e veprimtarisë përmbarimore.

Paga e përmbaruesit gjyqësor shtetëror

Paga e përmbaruesit gjyqësor shtetëror duhet të jetë në përputhje me natyrën e përgjegjësisë së detyrës së përmbaruesit dhe e përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre, shkruan rtsh.al.

Paga e përmbaruesve gjyqësorë shtetërorë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Në çdo rast, paga e përmbaruesve gjyqësorë shtetërorë nuk mund të jetë më e ulët se paga mujore e drejtorit të drejtorisë në ministri.

Përmbaruesi gjyqësor shtetëror, në varësi të rezultateve në punë, mund të përfitojë një shpërblim, i cili përballohet nga të ardhurat që i mbeten Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror. Shpërblimi i posaçëm caktohet në çdo rast me urdhër të ministrit.

Pezullimi

Përmbaruesi gjyqësor shtetëror mund të pezullohet përkohësisht nga detyra nga ministri, kur:

a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;

b) ndaj tij ka filluar një procedurë për heqjen e zotësisë juridike për të vepruar;

c) deklarohet i zhdukur me vendim të formës së prerë të gjykatës, deri në shfaqjen e personit apo deklarimit të vdekjes me vendim të formës së prerë të gjykatës;

ç) nëse ndodhet në gjendje konflikti interesi të vazhdueshëm, deri në transferimin e tij në një pozicion tjetër, sipas nenit 45 të këtij ligji;

d) nëse ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga përmbaruesi gjyqësor shtetëror, ndaj të cilit ka filluar një procedim disiplinor, pengon hetimin administrativ apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij. Në këtë rast pezullimi vendoset deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Kundër urdhrit të ministrit, përmbaruesi gjyqësor shtetëror mund të bëjë ankim në gjykatën administrative kompetente brenda 45 ditëve nga data e njoftimit të tij.

Fillimi i hetimit

Drejtori i përgjithshëm i Përmbarimit vendos të fillojë hetimin për shkeljen e pretenduar ose të arkivojë një ankesë brenda 3 muajve nga marrja e ankesës.

Drejtori i përgjithshëm i Përmbarimit brenda gjashtë muajve nga dita e marrjes së vendimit për fillimin e hetimit fillon procedimin disiplinor duke i paraqitur Këshillit të Përmbarimit raportin e hetimit ose merr vendim për mbylljen e hetimit.

Ai mund të zgjasë afatin e hetimit në raste komplekse për arsye të shtimit ose ndryshimit të objektit të hetimit apo në rast sëmundjeje ose pamundësisë së përmbaruesit gjyqësor, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.

Në rastet kur pas kalimit të afateve të parashikuara, dalin prova të reja, mbi bazën e të cilave ka shkaqe të arsyeshme të besohet se shkelja mund të ketë ndodhur, drejtori i përgjithshëm i Përmbarimit riçel hetimin, me kushtin që të mos jetë parashkruar.

Shkeljet disiplinore

Shkelje nga përmbaruesi gjyqësor shtetëror konsiderohen veprimet dhe mosveprimet e mëposhtme:

a) shkelja e rregullave të parashikuara nga ky ligj, ligjet e tjera dhe aktet nënligjore, që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë së përmbaruesit gjyqësor shtetëror;

b) braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për 7 ditë e më shumë, kur mungesa ka sjellë pasoja në përmbushjen e detyrave të institucionit ose për të drejtat dhe interesat ligjore të palëve në proces ekzekutimi;

c) mospërmbushja me faj e veprimeve përmbarimore të parashikuara në ligj, që kanë cenuar të drejtat e palëve në proces ekzekutimi;

ç) konflikti i interesit në një procedurë ekzekutimi;

d) mospërmbushja në mënyrë të qëllimshme dhe të pajustifikuar të detyrave, që i caktohen përmbaruesit gjyqësor shtetëror;

dh) shkelja e detyrimit të ruajtjes së konfidencialitetit, sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave që disponon si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së tij;

e) mosevidentimi në mënyrë të rregullt i të gjitha akteve dhe veprimeve procedurale të kryera gjatë veprimtarisë përmbarimore;

ë) pakujdesia në drejtim të mbajtjes dhe administrimit të dosjeve dhe dokumentacionit të krijuar për shkak të detyrës;

f) mosrespektimi i rregullave të etikës dhe standardeve profesionale në marrëdhënie me palët, subjektet e tjera të përfshirë në proces, kryetarin e zyrës përmbarimore, kolegët, personelin dhe publikun;

g) refuzimi apo pengimi i strukturës përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit apo strukturave të tjera shtetërore për të ushtruar kontroll për veprimtarinë përmbarimore, në përputhje me detyrat e tyre;

gj) shkelja e besimit të palëve në proces nëpërmjet kryerjes së veprimeve të padrejta ose të parregullta me njërën prej tyre ose me të tretë për të mos ekzekutuar apo vonuar ekzekutimin e titullit ekzekutiv;

h) ushtrimi i praktikave të ndaluara sipas përcaktimeve të këtij ligji;

i) pakujdesia në drejtim të mbajtjes së dosjeve përmbarimore dhe dokumentacionit tjetër;

j) tejkalimi i kompetencave të dhëna nga ligji;

k) trajtimi i pasurive dhe aseteve në kundërshtim me ligjin ose autorizimin e palëve;

l) punësimi në detyra të tjera publike, administrative ose mbikëqyrëse apo angazhimi në veprimtari, të cilat janë në kundërshtim me integritetin, paanësinë e përmbaruesit dhe parimet e ushtrimit të funksionit, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

ll) kryerja e transaksioneve të veta në emër të një personi tjetër ose të transaksioneve të një personi tjetër në emër të vet, qenia palë në transaksione për të cilat vepron edhe si përmbarues gjyqësor shtetëror;

m) përfitimi në mënyrë të padrejtë apo të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale, të cilat, qoftë edhe me anë të veprimeve të ligjshme, i jepen për shkak të detyrës që ushtron ose si pasojë e përdorimit prej tij të pozicionit të përmbaruesit gjyqësor shtetëror;

n) shkelja e rregullave për ruajtjen e informacionit të klasifikuar për të dhënat e klasifikuara si të tilla sipas legjislacionit në fuqi;

nj) kryerja brenda ose jashtë orarit zyrtar të veprimeve që cenojnë figurën e përmbaruesit gjyqësor shtetëror, Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit apo shërbimin përmbarimor në tërësi;

o) mospërmbushja e detyrimit për të marrë pjesë në formimin vazhdues, pa arsye të përligjura;

p) dëmtimi i pronës shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar apo keqpërdorimi i pronës shtetërore.

Shkeljet disiplinore parashkruhen brenda 5 (pesë) vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja.

/rtsh.al/ a.meta/