Ballina Lajme Lidia Cane, pianistja fierake që ëndërron skenat e Vjenës dhe e dashuruar...

Lidia Cane, pianistja fierake që ëndërron skenat e Vjenës dhe e dashuruar me pikturën.

4
Pas 12 vjetësh rrugëtim me gishtat në tastierë mban koncertin recital të diplomimit. E lidhur me instrumentin e pianos që në moshën pesë vjeçare, Lidia Cane do të mbërrinte në çastin e bukur të diplomimit të saj, duke arritur të mbajë të mbërthyer me lojën e saj të mrekullueshme përmbi një orë spektatorin fierak në sallën e teatrin “Bylis”. Ajo pa frikë mund të cilësohet si një ndër talentet më të veçantë të shkollës artistike “Jakov Xoxa”. Në kujtesën e artëdashëve fierakë kujtohet koncerti në moshën 9-vjeçare i Lidias dhe vëllait të saj Ergit, në koncertin për piano dhe orkestër po në sallë e teatrit “Bylis” Që në fillimet e saj, ajo ka spikatur me talentin dhe dashurinë për instrumentin e pianos.
Gjatë viteve të para të këtij rrugëtimi, Lidia ka patur kujdesin e mësueses Shazie Sherri. Zhvillimin e saj të mëtejshëm përsa i përket anës teknike e përfitoi falë punës së mësueses së saj të palodhur Marjana Xoxa E rritur tashmë në moshë dhe me më shumë bagazh artistik, Lidia filloi të marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare si “Epta Albania” Tiranë apo “Pianisti i Ri” – Prishtinë. Në të gjitha pjesëmarrjet, puna dhe mundi i saj janë vlerësuar me çmime të para.
Kjo është vetëm një pjesë e zhvillimit artistik të maturantes Lidia Cane. Ëndrra e Lidias është e qartë dhe vazhdon të punojë forcërisht që një ditë ta shoh veten në skenat e Vjenës si një pianiste soliste. Rruga e artit është e vështirë dhe këtë gjë Lidia e ka shumë të qartë. E vendosur tashmë për të dhënë më të mirën në instrumentin e pianos, Lidia rrit kërkesat ndaj vetes. Ajo filloi të marrë leksione nga pedagogu i pianos në Universitetin e Arteve Tiranë, zoti Marin Gjollma. Falë përvojës, përkushtimit, dhe punës sistematike me shumë profesionalizëm të profesor Marinit, Lidia është e gatshme të konkurrojë në akademitë më prestigjioze të Evropës.
Kjo mbrëmje, ishte edhe diplomimi i saj, maturantja interpretoi pjesë nga kolosët e muzikës botërore të periudhave: baroke, klasike, romantike dhe konteporane. Pas koncertit në hollin e teatrit spektatorët patën mundësi të ndjekin dhe një ekspozitë pikture, pasi Lidia është e apasionuar edhe pas këtij arti.
/Tv Kombi/