Qeveria parashikon që menaxhimi i burimeve njerëzore në administratën publike të ketë një qasje më të shpërblyer financiarisht, duke parashikuar që deri në vitin 2025, nëpunësit civilë të kenë një rritje mes 11 – 16%.
Dokumenti i “Masave prioritare të Administratës Publike” 2023-2030 i nxjerrë për konsultim fillimisht në shtator dhe i rihedhur për konsultim këtë të martë ka rishikuar pjesën e rritjes së pagave, duke e zgjeruar këtë me informacion dhe masa shtesë.
Në dokumentin e mëparshëm, specifikishit në pjesën e politikës së pagave, thuhej: “Administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës.
Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese. Shtesa e vjetërsisë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike. Paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024”.
Plani i ri për politikën e pagave
Në dokumentin e ri të nxjerrë për konsultim sa i takon politikës së pagave dhe metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës, pas ndryshimeve ligjore, nënvizohet një tjetër paragraf më i zgjeruar që parashikon edhe planet e reja për pagat.
“Administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës. Rritje e numrit të aplikimeve për pozicionet vakante.
Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese për të përballuar ndryshimet në pozicionet e niveleve të larta drejtuese.
Shtesa për vjetërsi në punë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike.
Paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024, nga 530 euro aktualisht.
Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2023:
pozicionet e kategorisë ekzekutive nga 19-41%;
pozicionet në nivelin e ulët drejtues 28-34%;
pozicionet në nivelin e mesëm dhe të lartë drejtues 25-35%.
Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2025 për pozicionet e kategorisë ekzekutive me 11-16% krahasuar me vitin 2023.
Sistemet dixhitale që mbështesin menaxhimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore janë plotësisht funksionale dhe lejojnë automatizimin e listëpagesave dhe zbatimin e praktikave të mira dhe forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve të administratës publike, brenda vitit 2028” thuhet në dokument./ Marrë nga Monitor