Flori Beqiraj dyshohet se është personi që shihet në video duke e sulmuar seksualisht alpinisten Mrika Nikçi në qendër të Pejës. Kjo është konfirmuar nga burimet e Gazetës Express.
Ndërkohë në Facebook, autori i dyshuar publikonte shpesh foto me partneren, ndërsa menjëherë pas ngjarjes, komentuesit nuk i kanë kursyer komentet në këto foto, duke e ofenduar rëndë. Pak orë më pas, profili i tij në Facebook, është bllokuar.
Nikçi përmes një video të publikuar në Facebook shfaqi momentin kur ajo sulmohet seksualisht. Nikçi ka njoftuar se ky sulm ka ndodhur në qytetin e Pejës, më 27 shtator, 2022.
“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht! Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”, ka shkruar ajo.
Alpinistja ka thënë se është në gjendje të rëndë emocionale.
Flori Beqiraj është arrestuar dhe ndaj të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh si i dyshuar për veprën penale “sulm seksual”. Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Pejë pritet të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë.