Kuvendi ka miratuar mes debatesh të gjata projektin për Portin e Durrësit. Investimi prej 2.1 miliardë eurosh mori 76 vota pro dhe 35 kundër pas një seance maratonë. Por teksa qeveria e konsideron Projektin për Portin e Durrësit si një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe, për opozitën nuk është gjë tjetër veçse një megaaferë korruptive.
Projekti i Portit të Durrësit është cilësuar nga Kryeministri Rama si një projekt historik me një vlerë prej 8 miliardë eurosh në PBB dhe si një projekt që do ngrejë peshë vlerën marramendëse jo vetëm të qytetit të Durrësit, por të gjithë Shqipërisë.
“Ne këmbëngulnim papushim për ato që donim deri në fund. Edhe në historinë e rajonit tonë që sipas fazave dhe blloqeve të zhvillimit, këtij investimi do e impaktojnë GDP 1.2-1.8 %. Në një 10 vjeçar do jetë një motor 8 miliardë euro dhe do ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë”, tha Rama.
Por për opozitën, ky projekt është një vjedhje masive nga qeveria, e cila kërkon të varrosë Portin e Durrësit dhe synon shndërrimin e tij në një pronë private të klanit Rama.
Në fjalën e tij Kreu i PD zgjedhur nga Rithemelimi akuzoi qeverinë se nëpërmjet këtij projekti po kryen një mega aferë duke favorizuar veten dhe klanin e tij.
“Sot, ju kërkoni të varrosni Portin shekullor të Durrësit, si pronë publike të shqiptarëve dhe ta shndërroni në pronë private të klanit Rama dhe ndonjë Arabi okazional, ndonjë arabi që u zotua për 4 miliardë euro investim buzë Danubit në Beograd dhe përfundoi në 20 milionë euro nga Bratja Karriq. Historia e kësaj vjedhje është më kriminalja”, akuzoi Sali Berisha.
Por pas 14 orësh debate, tensione e akuza, Projekti i Portit të Durrësit u miratua mes duartrokitjesh nga deputetët e mazhorancës. Miratimi i projektit të Portit të Durrësit i hap rrugën një prej investimeve më të mëdha që për qeverinë do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë.
/rtsh.al/