Tensionet dhe tone të forta ka shoqëruar Kuvendin lidhur me mocionin e integrimit të kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Aliebaj.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Sali Berisha nuk e ka dashur kurrë integrimin dhe se mazhoranca nuk do të kërkojë kurrë votën e një non grata dhe atyre që e ndjekin atë për të arritur konsensus politike për çështjet e integrimit të vendit.
“Sali Berisha nuk e do integrimin, nuk e ka dashur kurrë. Bllokimi i Foltores është bllokim për integrimin. Jemi në epokën e rrezikut më të madh, sot kërkohet më shumë solidaritet dhe bashkim me njëri tjetrin. Mendoni se do ketë konsensus politik nga non grata? Ne nuk do i kërkojmë kurrë votën as non gratës dhe as atij që i vijnë pas non gratës. Në 2022 ka ndodhur momentin më i rëndësishëm historik, janë hapur negociatat me BE. Shqipëria 2030 është Shqipëria në BE dhe prandaj PS ka vendosur objektiva në shumë fusha. Nuk kemi asnjë dyshim për këtë. Nuk mund të thotë kreu i grupit parlamentar i PD që nuk është bërë asnjë këtë vit. Por më 6 dhjetor do të zhvillohet samiti i BE me Ballkanin Perëndimor, po si do vijnë kur nuk është bërë asgjë?”, tha Balla.
Me nota negative për qeverinë e komentoi progres raportin për integrimin kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se nxori në pah probleme të rënda.
“Në korrik të 2020 Këshilli Evropian vendosi të nisë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë. Raporti i parashtroi të gjitha problematikat kryesore të cilat Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar prej vitesh i ka nënvizuar si shqetësime por edhe si pengesa drejt rrugës europiane. Ai duhet të shërbejë si kambanë alarmi për qeverinë dhe jo si mjet “mburrjeje” për arritjet e saj. Iniciativat e fundit të qeverisë si a Amnistia Fiskale dhe Pasaportat e Arta, sipas raportit I hapin rrugë krimit të organizuar, evazionit fiskal dhe financimit të terrorizmit. Skema e shtetësisë, do përdoret në aferën e Portit të Durrësit pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit European. Shprehim keqardhje për qasjen e qeverisë ndaj procesit të integrimit. Qeveria nuk e ka patur në prioritet e saj këtë proces kaq të rëndësishëm, dhe kjo duket qartë dhe në mungesën e strukturave të posaçme për integrimin evropian”, tha Alibeaj.
/rtsh.al/