Të diplomuarit në një fushë të ngjashme ose të përafërt me fushën e mësuesisë, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim etj., do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e mësuesit, pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik. Kjo do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në një videopublikim në rrjetet sociale.
Duke dhënë disa detaje nga udhëzimi i ri, Kushi ftoi të gjitha universitetet që të paraqesin aplikimet për miratimin e programeve të nevojshme, për t’u dhënë mundësi të interesuarve që të regjistrohen që në vitin e ri akademik 2023-2024.
“Prej vitesh në sistemin arsimor parauniversitar, disa lëndë si: Ekonomi, Informatikë, Arte, Filozofi, Teknologji, jepeshin nga mësues të profileve të tjera ose nga profesionistë të këtyre fushave që nuk ishin diplomuar në fushën e mësuesisë, e të cilëve u mungonte formimi i nevojshëm pedagogjik e metodik. Prandaj ne, duke pasur objektiv primar interesin e nxënësve dhe të drejtën e tyre për mësimdhënie në nivele të larta shkencore dhe psiko-pedagogjike, kemi hartuar dhe miratuar një udhëzim të ri, i cili mundëson që profesionin e mësuesit ta ushtrojnë profesionistë të diplomuar në fusha të ndryshme, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj., por pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë”, theksoi Kushi.
Ministrja Kushi ftoi të gjitha universitetet që, bazuar në këtë udhëzim, të paraqesin sa më shpejt aplikimet për miratimin e programeve të nevojshme, për t’u dhënë mundësi të interesuarve që të regjistrohen që në vitin e ri akademik 2023-2024.
Së shpejti do të organizojmë edhe një takim me përfaqësues të universiteteve për t’i udhëzuar dhe mbështetur sa më shumë në hartimin dhe miratimin e programeve të reja.