Ballina Lajme Kurti për BBC: Bisedimet në Bruksel nuk ishin të lehta, por rezultatet...

Kurti për BBC: Bisedimet në Bruksel nuk ishin të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme.

1

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë të dielën një intervistë të shkurtër për “BBC World Service”, pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.

I pyetur nga gazetari se a është i lumtur për këtë marrëveshje, kryeministri Kurti tha se, edhe pse bisedimet në Bruksel nuk ishin të lehta, rezultatet janë të kënaqshme.

“Po ne kemi pas bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”, tha Kurti.

Ai falënderoi për punën e zellshme Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“E falënderoj Borrellin, Lajçak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha më tej kryeministri i Kosovës.

Teksa foli për “tensionet” që ndodhën një muaj më parë në veri të vendit lidhur me zbatimin e reciprocitetit, kur Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, kryeministri ndër të tjera u shpreh se “janë bindur të gjithë se çfarë kemi bërë nuk është ilegale”.

Ai foli edhe për afatin që iu është dhënë serbëve që të pajisin automjetet e tyre me targa të Kosovës, ku tha se u janë dhënë dy muaj kohë.

“Ju kemi dhënë qytetarëve serbë dy muaj kohë për t’u pajisur me targat e Republikës së Kosovës. Shpresoj që deri në tetor s’do të shohim automjete me targa që s’janë të vlefshme”, u shpreh ai ndër të tjera.