Ballina Rajoni Kurti: Asociacion një etnik nuk është i mundur në një Kosovë shumëetnike

Kurti: Asociacion një etnik nuk është i mundur në një Kosovë shumëetnike

1

Asociacion një etnik nuk është i mundur në një Kosovë shumëetnike”, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërsa argumenton se jo Kosova por është Serbia ajo që që duhet ta kompensojë Kosovën për luftën.

Asociacion një etnik me Kosovën me kushtetutë shumetnike s’është i mundshëm. Kur e kemi shpallur pavarësinë thoshin se edhe pse Kosova i ka 93 për qind shqiptarë, s’mund të cilësohet shqiptare, por multietnike. Ama tash s’mund të bëhet asociacion njëetnik. Ne e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kosova s’mund ta kompensojë Serbinë, por është kjo e fundit ajo që duhet ta kompensojë Kosovën për luftën”, tha Kurti.

Kurti është shprehur i hapur për diskutime mes vendeve, duke u bazuar në propozimet të Bashkimit Evropian,  mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Le t’i hapim diskutimet në Bruksel në nivelin e lartë dhe të diskutojmë për të gjitha çështjet, normalizimi i plotë është i domosdoshëm, por njohja reciproke në qendër. S’po them që vetëm njohja reciproke është marrëveshja, do të ketë edhe gjëra të tjera, por qendra është njohja reciproke. Për këtë më kanë votuar qytetarët. Kështu e thotë Kushtetuta. E do Republika dhe demokracia. E dimë që Serbia do diçka tjetër, por jam për t’iu shërbyer qytetarëve të Kosovës. E dimë që Bosnja dhe Hercegovina e ka brenda Republikën Serbe. Serbia e njeh ‘de jure’, por ‘de fakto’ e saboton për ditë. Edhe pse e ka pranuar pavarësinë shikoni çfarë po i bën”, deklaroi Kurti.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një prej çështjeve që ka krijuar tension mes Prishtinës dhe Beogradit, por edhe mes Prishtinës e faktorit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të respektojë marrëveshjet e arritura dhe të themelojë Asociacionin.

Çfarë parashikon Asociacioni

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

rtsh.al/