Kryetari i bashkisë Armando Subashi është takuar me banorët e lagjeve “Liri”, “Liri Gero” dhe “Bishanakë” në rajonin nr.2 me të cilët ka shpalosur synimet për vazhdimësinë e qeverisjes së kësaj bashkie. Duke analizuar çfarë është bërë dhe çfarë pritet të bëhet, Subashi ka bërë një përshkim të punëve të qytetit të Fierit, ku ka veçuar rehabilitimin e lumit Gjanica në dy faza dhe fillimin e fazës së tretë investuese e cila do të shtrihet nga ish-shtëpia e oficerëve deri në ish-furrat e bukës.
Sipas tij me këtë investim qyteti i Fierit do të fitojë një gjatësi lumi rreth 5 km tërësisht të ndryshuar. Ai ka kujtuar tetorin e vitit 2015, që shënoi dhe përmbytjen e fundit nga Gjanica pasi filloi puna për rehabilitimin e tij. Synimi, ka përmendur Subashi, është zhvillimi i pjesës lindore të lumit, si pjesë e asaj strategjie me qëllim që Fieri të kthehet në qendër të aktiviteteve të rëndësishme kulturore që zhvillohen në Shqipëri. Ashtu si “Air Albania” i jep Tiranës atë pamje moderne, ashtu dhe kompleksi, që do të ndërtohet në këtë pjesë do të japë një pamje të transformuar të qendrës së qytetit të Fierit duke u barazuar kështu me zhvillimin e pjesës perëndimore të tij.
Ai është ndaluar në investimet në brendësi të lagjeve të rajonit nr.2 ku në sajë të buxhetit të bashkisë janë investuar sheshet e pallateve, rrugicave duke sistemuar dhe pjesët e mbetura. Tashmë sipas tij është mbyllur asfaltimi në blloku e parafabrikateve dhe në lagjen “Bishanakë”, por e ka cilësuar proces në vijim dhe brenda vitit do të jetë i mbyllur në të gjithë qytetin.
Ai është ndalur dhe në disa momente të punëve të kryera në këtë bashki si ndriçimi publik dhe ai dekorativ do t’i japë një pamje tjetër qytetit, rrugicave dhe blloqeve të banimit. Sipas tij janë vendosur 9 mijë ndriçues dhe në vijim do të vendosen dhe dy mijë të tjerë. Në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm Subashi ka dhënë lajmin e fillimit të investimit të fazës së pestë në ujësjellës nga qeveria gjermane, që përfshin zonën nga kodrat e lagjes “1 maji” në Sheq i Madh dhe i Vogël dhe pjesa perëndimore Qenas dhe Mbrostar Ferko duke zgjidhur problemin me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin me presionin maksimal.
Sipas Subashit filozofia e punës së bashkisë është investime të kompletuara në rrugë, trotuare, ndriçim, korsi biçikletash, sinjalistikë rrugore. Pjesë e diskutimit kanë qenë dhe situata në godinat arsimore dhe planet investuese në të ardhmen në këtë rajon. Subashi ka parashtruar dhe projektet investuese për të ardhmen.
Në bashkëpunim me qeverinë dhe me federatën shqiptare të futbollit shumë shpejt do të fillohet nga puna për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit modern aq shumë i munguar për Fierin me dekada të tëra. Po përfundohet projekti i pallatit të sportit dhe do të shihet mundësia e financimit, punohet në rehabilitimin e rrugës “Kastriot Muço” me të njëjta standarde që janë vendosur me synim lidhjen e qendrës me spitalin “Memorial” rajonal. Është gati projekti dhe shumë shpejt do të fillojë nga puna për rrugën “Aulona” nga rrethrrotullimi i QTU-së deri tek hekurudha, do të fillohet rikonstruksioni i unazës lindore të qytetit me të gjitha parametrat e saj urbanë nga rrethrrotullimi i Sheqit e deri te rrethrrotullimi i QTU-së.
Është përfunduar projekti dhe është gati të bashkëfinancohet vazhdimi i unazës perëndimore të qytetit e cila ka ngelur përgjysmë që para shumë vitesh nga anekset e stadiumit dhe deri te rrethrrotullimi i Azotikut. Ndërkohë investimet realizohen me ritme të larta projektet e nisura duke vazhduar të quhet “Fieri, një kantier investimesh”. Subashi ka kërkuar mbështetjen e banorëve fierakë për të vazhduar rrugën e transformimeve, por edhe për të siguruar mandatin e katërt të kryeministrit Edi Rama dhe të Partisë Socialiste.
/Tv Kombi/