Në një shesh të çliruar dhe të sistemuar në një zonë të lagjes “15 tetori” është zhvilluar takimi elektoral i kryetarit të bashkisë Armando Subashi me banorët e kësaj lagjeje. Duke analizuar çfarë është bërë dhe çfarë pritet të bëhet, Subashi ka bërë një përshkim të punëve të qytetit të Fierit, ku ka veçuar rehabilitimin e lumit Gjanica në dy faza dhe fillimin e fazës së tretë investuese. Ai ka kujtuar tetorin e vitit 2015, që shënoi dhe përmbytjen e fundit nga Gjanica pasi filloi puna për rehabilitimin e tij.
Synimi, ka përmendur Subashi, është zhvillimi i pjesës lindore të lumit, si pjesë e asaj strategjie me qëllim që Fieri të kthehet në qendër të aktiviteteve të rëndësishme kulturore që zhvillohen në Shqipëri. Ai është ndalur në rivitalizimin e rrugës “Kastriot Muço” nga biblioteka dhe deri tek shinat e trenit, për t’ia lënë një faze të dytë të mbështetjes nga FSHZH për të bërë të mundur financimin e projektit nga hekurudha deri në spitalin “Memorial”. Pjesë e punës së viteve në vazhdim do të mbeten asfaltimet në rrugë, rrugica, sheshe me buxhetin e bashkisë dhe ndërmarrjen e punëve publike. Sipas tij është çuar për financim projekti i shkollës “Mark Dashi”, “Naim Frashëri” dhe “Liri Gero” të pa rekura ende nga një rikonstruksion i plotë. “Ne kësaj radhe duhet të jemi të gjithë bashkë rreth PS, qeverinë, Edi Ramës, sepse në fakt ne fierakët nuk kemi arsye të kemi dilema, se ne e kemi provuar Saliun, por edhe qeverinë e tyre. E dimë mirë sesa i nëpërkëmbur dhe i përçmuar ka qenë Fieri në kohën e qeverisjes së tyre, ku nuk ka marrë asnjë investim, asnjë projekt.
Jemi në gjendje të kuptojmë se çfarë kemi bërë në Fier në pak vite, nën qeverisjen e Edi Ramës, se me çfarë syri është parë Fieri në këto vite ku çdo projekt që e kemi hartuar dhe prezantuar atje, ka njohur mbështetjen e plotë të kryeministrit, ka gjetur financimin dhe padyshim nëse është ky Fier, që kemi sot, çelësi kryesor i këtij suksesi dhe transformimi është mbështetja e madhe që kemi pasur nga Edi Rama.
Në 14 maj jo vetëm do të fitojmë për kryetarin e bashkisë, por ne do të marrim një rezultat shumë domethënës edhe për këshillin e bashkisë, ku Partia Socialiste me votat që do të marrë dhe me numrin e këshilltarëve do të tregojë edhe një herë që Fieri mbetet kryeqyteti i socialistëve. Kjo padyshim ka rëndësi, sepse ne mbas zgjedhjeve prapë duhet ta mbajmë kokën lart përpara gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe përpara qeverisë dhe kryeministrit dhe t’i themi ky është Fieri kryeqyteti i socialistëve, që e ka mbështetur partinë socialiste, qeverinë, Edi Ramën ndaj zoti kryeministër vazhdoni mbështete Fierin me financime, me projektet të cilat ne i kemi gati”, u shpreh para banorëve të lagjes 15 tetori Armando Subashi.
Ndërsa në fjalën e tij Taulant Balla pohoi sigurinë që në 14 maj do të mbështetet drejtimi i duhur që nisën tetë vjet më parë me Armando Subashin dhe do të mbështetet Edi Rama. Ai ka vlerësuar punën e bërë nga bashkia e Fierit ë të cilën punohet me seriozitet, punohet me projekte dhe “ajo që është më e mira dhe që e dallon bashkinë Fier nga të tjerat në vend është fakti që pjesa më e madhe e punëve publike bëhet me ndërmarrje publike dhe kjo kursen fonde, por më shumë se kaq garanton që çdo qindarkë të shkojë në dobi të qytetit. Sipas tij me ndërmarrjen publike të bashkisë së Fierit shtrohen me asfalt këtë vit 30 km rrugë të reja.
Duke u ndaluar në zhvillimet e fundit në drejtim të pensioneve dhe rrogave balla do të theksonte se pensionistët janë shtresa që vuajnë më shumë efektet negative të inflacionit që erdhi dhe për shkak të luftës, por dhe problemeve të tjera. “Ata e vuajë ngaqë kanë punuar në kohë tjetër dhe kur iu lidh pensioni iu lidh në një vlerë shumë të ulët. Do t’i mbështesim pensionistët në forma nga më të ndryshmet së pari me indeksimet që janë bërë vit për vit dhe politikave financiare të ndjekura gjatë vitit.
Djemtë dhe vajzat e reja që duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre t në Shqipëri dhe në Fier kërkojnë rritjen e pagave dhe prandaj ne do ta bëjmë dhe do synojmë që edhe duke hequr ndonjë investim edhe duke reduktuar investimet, mësuesi i shkollës së mesme të Fierit mos ta paguajmë më nën një milionë lekë të vjetra.” Ai iu ka kërkuar demokratëve të votojnë në këto zgjedhje bashkëqytetarin e tyre Armando Subashi “pasi ata pas 32 vjetësh kanë votuar PD dhe sot të votohet përsëri PD ta marri Ilir Meta nuk shkon kjo punë.
Kësaj radhe ke një arsye të fortë që t’ia japësh votën një bashkëqytetari tënd Armando Subashi i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe rezultate e mira sjellin investime të mëdha. Pas majit 2023 vjen maji 2025 ku PS do të duhet të fitojë një mandat të ri qeverisës me Edi Ramën kryeministër”, është shprehur Balla para banorëve të lagjes “15 tetori”.
/Tv Kombi/