Ballina Lajme Kryeministri Rama premton nga Fieri: Brenda qershorit, platforma e transformimit të Kadastrës!

Kryeministri Rama premton nga Fieri: Brenda qershorit, platforma e transformimit të Kadastrës!

0

Kryeministri socialist Edi Rama paralajmëroi të hënën se shumë shpejt kadastra shqiptare do ta ofrojë marrjen e shërbimit online. Duke folur nga Fieri ku ndodhej për turin e falenderimeve, zoti Rama tha se brenda muajit qershor do të prezantohet edhe platforma e transformimit të shërbimit të Kadastrës.

“Duhet të përmbysim rendin që mbizotëron në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Dhe njëlloj siç kemi vepruar me shumë shërbime të tjera, duhet të mbyllim dhe dyert e kadastrave” tha kryeministri.

“Nuk ka nevojë që qytetarët të shkojnë dyerve të kadastrave. Nuk ka nevojë dhe nuk do të ketë nevojë. Duhet të mjaftojë që qytetarët të bëjnë aplikimin online, siç e bëjnë për shumë shërbime të tjera, dhe të marrin po online shërbimin që kërkojnë, brenda afatit, pa pasur nevojë të takojnë njerëz dhe pa qenë në dorën e asnjë regjistruesi apo kryeregjistruesi. Besoj se brenda muajit qershor do të bëjmë prezantimin e këtij transformimi dhe do të veprojmë shumë shpejt për t’ia hequr përfundimisht njerëzve këtë barrë të tmerrshme” premtoi Kryeministri.

Duke ju referuar problemeve që vazhdojnë të hasin qytetarët në zyrat e kadastrave, zoti Rama theksoi se ata që kanë votuar e votuar disa herë PS-në, “nuk mund të presin edhe 10 vite të tjera për të mos pasur më andralla me Kadastrën, për të mos pasur tortura në marrjen e titujve të pronësisë, për të mos pasur më pamundësi në regjistrimin e tokës së tyre”.

“Kadastra është portreti i turpit tonë. Nëse nuk ja themi vetes këtë të vërtetë, nuk e ndajmë me të tjerët këtë të vërtetë, duket sikur jetojmë jashtë realitetit ose sikur jemi pajtuar me këtë të vërtetë”, u shpreh kryeministri Rama.

“Ne kërkuam e qytetarët e nënshkruan me votën e 14 majit dhe tani jemi ne që duhet ta zbatojmë, sepse njerëzit na kanë dhënë një kredi shumë të lartë” tha ai. “Por kush mendon se na kanë dhënë me interesa shumë të ulëta bën një gabim shumë të madh. Është një kredi me interesa shumë të larta, që duhet të jemi në gjendje ta kthejmë përmes rezultateve konkrete të investimit të qytetarëve tanë” tha kryeministri socialist Edi Rama në Fier.

/ rtsh.al /