Ballina Lajme Kryeministri Edi Rama në mitingun përmbyllës të socialistëve fierakë

Kryeministri Edi Rama në mitingun përmbyllës të socialistëve fierakë

1

 

 

Nga sheshi i transformuar me tiparet moderne në qytetin e Fierit kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment kthese në ekonomi, pas shumë goditjeve që kaloi, dhe brenda prillit të vitit 2024 paga mesatare në vend do të jetë 900 euro. Rama theksoi se sot ka nisur rritja historike e pagave në të gjithë sektorët, çka do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë në rajon për pagat. “Sot, ne kemi hyrë në rritjen më të madhe historike të pagave dhe siç mund ta dëshmojnë mjekët, infermierët, punonjësit e sigurisë, mësuesit, pagat kanë nisur të rriten.

Por këtë herë, për të mos u ndalur deri në prillin e ardhshëm, ku ne do të çojmë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Dhe Shqipëria do të renditet në nivelin e lartë të pagave në të gjithë rajonin tonë, pas një ringritje të gjatë e të vështirë nga Gjanica politike, ekonomike e morale ku na e lanë Shqipërinë, ata që kanë kurajon të kthehen e të kërkojnë votën tuaj sot”, deklaroi Kryeministri.

 

Duke folur për projektet në Fier, Rama u ndal te rehabilitimi i lumit Gjanica. “Kur ne kemi nisur rrugën tonë të gjithë së bashku, këtu në Fier ju e mbani mend që në zemër të qytetit ky shesh nuk ekzistonte, por ishte e vështirë të ndaloje për shkak të erës që vinte nga lumi. Ky lumë që sot i është shtuar Fierit si vlerë urbane, pjesë e transformimit të tij, ishte burim problemesh. Një shi si ky sot, bënte që lumi të dilte nga shtrati e të përmbyste bizneset në të dy anët, të ndërtuara në krye të herës me godina të shëmtuara që ne i hoqëm, siç hoqëm ato nga shtrati i Lanës që në fillim të viteve 2000.

Kur unë ju thashë se ne do të transformojmë Gjanicën në një mushkëri të re dhe do t’i jepnim Fierit mbrapsht lumin si një aset për qytetin, shumëkush mendoi se ishte një premtim nga ato me të cilat njerëzit ishin mësuar. Ja ku janë sot Gjanica dhe shëtitorja që tanimë përshkon qytetin deri në fund. Ende nuk ka mbaruar puna dhe shumë detyra kemi para”, theksoi Kryeministri. Sipas tij, flamuri kuqezi është arsyeja e të gjitha arsyeve për të shkuar vetëm përpara me Partinë Socialiste e kandidatët e saj në të gjithë Shqipërinë.

Tv Kombi