Ballina Lajme Politike Kryebashkiaku Subashi: Fieri është kryeqyteti i socialistëve, por Topoja është zemra e...

Kryebashkiaku Subashi: Fieri është kryeqyteti i socialistëve, por Topoja është zemra e socialistëve.

1

 

 

“Nëse Fieri është kryeqyteti i socialistëve, Topoja është zemra e socialistëve”, është shprehur kryetari i bashkisë Armando Subashi me banorët e Topojës. Në këtë takim kryebashkiaku Armando Subashi ka bërë një pasqyrë të punëve të kryera në këtë njësi, por edhe investimet që do të kryhen në vijim. Reforma territoriale, ka pohuar Subashi, është një nga arritjet e qeverisjes socialiste duke bërë të mundur shërimin e shumë plagëve që ishin atyre prej vitesh.

Sipas tij Rilindja Urbane ka bërë të mundur të zgjidhen shumë nga problematikat më të mprehta të bashkisë duke filluar nga qendra e qytetit e deri në fshatrat e 9 njësive administrative. Aktualisht pas asfaltimit të rrugëve kryesore në qytet dhe njësitë administrative tashmë po operohet me rrugët e brendshme në fshatrat kryesore të tyre.

Ai ka përmendur përfundimin e investimeve rrugore në Sheq Marinas dhe në Topojë në brendësi të lagjeve, por edhe vazhdimin e punëve në Seman, në Grykë, Gjokalli sipas programimit nga buxheti i bashkisë. Subashi është ndalur në dy projekte madhore përfitues të të cilëve janë dhe banorët e kësaj njësie si projekti i 16 fshatrave të fushës për furnizimin me ujë të pijshëm që fillon nga pjesa e Pishë-Poros në grykëderdhjen e Vjosës deri në fshatin më të fundit në Sektor të Semanit, që përfshijnë brenda vetes tre njësi administrative të Levanit, Dermenas dhe Topojën, por edhe zhvendosjen e vendburimit nga Pishë-Poro drejt Çervenit aty ku aktualisht janë shumica e puseve prej nga furnizohet qyteti i Fierit dhe më gjerë duke i paraprirë kështu zhvillimeve të ardhshme në zonën bregdetare.

Një tjetër projekt me rëndësi është riaktivizimi i rrugës së Semanit nga hekurudha deri te pishat në bregdet të cilit i ka përfunduar një element ura e madhe mbi kolektorin e Roskovecit, ndërkohë që po punohet në qendër të Dërmenasit duke qenë një shembull se si do të vazhdojë ky projekt me elementët e korsive të biçikletave, me trotuare, ndriçim nga fillimi deri në fund të tij.

Për Subashin në të ardhmen turizmi dhe bujqësia janë dy nga potencialet që do t’i sjellin zhvillim ekonomik bashkisë së Fierit dhe komunitetit të saj. Me një vizion të qartë tashmë bashkia e Fierit do të punojë dhe në drejtim të turizmit duke pasur fatin e mirë që vija bregdetare me gjatësi mbi 25 km i ka shpëtuar abuzimeve me ndërtimet. Për këtë qëllim është filluar hartimi i një masterplan për zhvillimin e bregdetit i cili së bashku me turizmin kulturor do ta shndërrojë Fierin në një ndër destinacionet turistike të lakmuara nga vizitorët sa vendas dhe të huaj. Sipas tij në të gjithë këtë projekt madhor Semani do të ketë rëndësie e tij dhe përmes këtyre investimeve ai do të shndërrohet në një nyjë të fuqishme të turizmit në bashkinë e Fierit, por edhe më gjerë. Kryebashkiaku Subashi e ka fokusuar fjalën e tij në disa pika kryesore, që sipas tij janë me rëndësi jetike për këtë njësi administrative.

Ai është ndalur në investimet në kopshtet, shkollat, çerdhet dhe qendrat shëndetësore. Investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese, rrugët rurale të lidhura me njëra-tjetrën kanë një rëndësi jetike për fshatin duke ndikuar drejtpërdrejtë në shitjen e produkteve bujqësore apo lidhur me shërbimet si: pastrimi i mbetjeve urbane, transporti publik, ndriçimi publik në qendër dhe në fshatra. Kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi ka garantuar banorët e njësisë së Topojës që rruga e nisur e investimeve nuk ka mbaruar, përkundrazi ajo do të vazhdojë edhe në vitet që vijnë.

Ndërkohë në mesazhin e tij politik Subashi ka kërkuar mbështetjen jo vetëm për atë si kryetar bashkie, por edhe për PS, për fitoren e numrave në këshillit bashkiakë. “Pas zgjedhjeve të 14 majit ne do të kthejmë në fier mandatin e 10-të duke siurraur fitoren e PS-së në vitin 2025 dhe mandatin e katër të kryeministrit Edi Rama”, tha Subashi.