Drejtuesi politik i qarkut të Fierit Taulant Balla, deputeti dhe kryebashkiaku Armando Subashi ka qenë në njësinë administrative të Mbrostarit ku kanë bërë një pasqyrë të punëve të kryera gjatë këtij mandati në këtë njësi dhe gjithë territorin e bashkisë së Fierit, por edhe investimet që do të kryhen nga buxhetit i këtij viti. Reforma territoriale, ka pohuar Subashi është një nga arritjet e qeverisjes socialiste duke bërë të mundur shërimin e shumë plagëve që ishin atyre prej vitesh.
Sipas tij Rilindja Urbane ka bërë të mundur të zgjidhen shumë nga problematikat më të mprehta të bashkisë duke filluar nga qendra e qytetit e deri në fshatrat e 9 njësive administrative. Aktualisht pas asfaltimit të rrugëve kryesore në këtë njësi u asfaltuan të gjitha rrugët lidhëse duke qenë kështu një njësi model në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës rrugore.
Ai ka përmendur përfundimin e investimit në drejtim të unazës bujqësore që duke lidhur Kallmin e Vogël me Ishtmin, Bubullimën e duke dalë në Verri. Sipas tij këto investime jo vetëm kanë ndikuar në cilësinë e jetës së banorëve, por kanë sjellë edhe përfitime ekonomike pasi është hapur një portë e madhe ekonomike si në drejtim të rritjes së prodhimit, por edhe afrimin e grumbulluesve të prodhimeve bujqësore. Sipas tij në këtë mënyrë është krijuar një treg mjaft tërheqës rezultatet e të cilit i ndjen çdo familje në këtë njësi administrative,
Një tjetër investim ka veçuar Subashi ka qenë ai i kryer në bashkëpunim më TAP-in për ujësjellësit në fshatrat kryesore ndërkohë që po punohet për rehabilitimin e ujësjellësve në brendësi të çdo fshati. Kryebashkiaku Subashi e ka fokusuar fjalën e tij në disa pika kryesore, që sipas tij janë me rëndësi jetike për këtë njësi administrative.
Ai është ndalur në investimet në kopshtet, shkollat, çerdhet dhe qendrat shëndetësore. Në shkolla çdo vit në qershor-korrik-gusht bëhen ndërhyrje për të siguruar mësim normal në shtator, ka përmendur ai. E njëjta gjë ndodh dhe me qendrat shëndetësore që nuk lihen jashtë vëmendjes së bashkisë, por edhe mjeku dhe infermieri duhet të jenë kurdoherë në shërbim të banorëve.
Ndërkohë që në qendër të vëmendjes do të jenë dhe terrenet sportive si një kërkese jetike dhe e mirëkuptueshme e komunitetit në stadet e tanishme të zhvillimit urban, por edhe prurë më afër sportit nxënësit e shkollave dhe edukimin e tyre fizik. Investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese, rrugët rurale të lidhura me njëra-tjetrën kanë një rëndësi jetike për fshatin duke ndikuar drejtpërdrejtë në shitjen e produkteve bujqësore.
Duke qenë se është një proces ne vijim është parashikuar blerja e dy ekskavatorëve të rinj që kryejnë shërbime në këto kanale, duke fuqizuar kështu mekanikën e përdorur, ndërkohë që 8 të tillë janë në fushat dhe synohet arritja e gjendjes së sistemit të kanaleve vaditës dhe kullues të para viteve’90-të. Lidhur me shërbimet si pastrimi i mbetjeve urbane, transporti publik, ndriçimi publik në qendër dhe në fshatra Subashi ka përmendur në këtë drejtim vendosjen e ndriçueseve të rinj me panele diellorë dhe me energji elektrike
Në fjalën e tij janë përmendur arritjet në drejtim të transportit publik dhe mirëmbajtjes së varrezave publike duke kryer rrethin e tyre dhe çlirimin e hapësirave të zaptuara. Kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi ka garantuar banorët e njësisë së Mbrostarit që rruga e nisur e investimeve nuk ka mbaruar, përkundrazi ajo do të vazhdojë edhe në vitet që vijnë. I pranishëm në këtë takim përfaqësues politik, deputeti Taulant Balla ka përmendur punët e mira që janë bërë në bashkinë e Fierit, duke përmendur faktin që në këtë bashki janë kryer punët në mënyrë të planifikuar duke qenë kështu një model në gjithë vendin.
Në fjalën e tij Balla ka vlerësuar faktin që punë të mëdha po zhvillohen në qytetin e Fierit, ashtu si punë të mëdha po zhvillohen në çdo njësi administrative në drejtim të zhvillimit të bujqësisë > ai ka shprehur bindjen që me këto ritme së shpejti Fieri dhe Mbrostari do të jenë një. Duke u ndaluar në aspektin politik Balla pa shprehur mirënjohjen për banorët e kësaj njësie administrative që kanë mbështetur PS, ashtu si do të jenë pararojë në zgjedhjet e 14 majit./Tv Kombi/