Një front pune tashmë është hapur në njësinë administrative të Topojës dhe pikërisht në fshatin Topojë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Aktualisht ka nisur puna e bashkisë së Fierit për shtrimin e të gjitha rrugëve të brendshme në Topojë.
Plani i investimeve në këtë zonë parashikon rikonstruksionin e të gjitha akseve që lidhin Topojën me Semanin dhe Sheq-Marinës. Sipas kryebashkiakut Armando Subashi momentalisht puna është në fazën që po mbyllen akset rrugore brenda lagjeve të fshatit.
Rruga kryesore e fshatit tashmë është drejt asfaltimit të saj, ndërsa më pas do të punohet për pastrimin e kanalit ndanë anës së rrugës. Nga pranvera ka bërë të ditur kryetari i bashkisë Armando Subashi do të punohet me pastrimin e kanalit pasi bie niveli i ujërave dhe është kanal kullues pjesë e skemës funksionale.
Ndërkohë që në akset rrugore në të cilat nuk mund të futet makina e asfaltobetonit, do të punohet me punonjësit e ndërmarrjes në një gjatësi mbi 100 metra. Sipas tij në çdo fshat do të ecet me këtë logjikë të mbylljes investimeve të rrugëve si kryesore por edhe ato të brendshme me asfalt, me çakëll, me stabilizant, apo dhe me rërë bituminoze.
Nga ana e tij deputeti Taulant Balla ka pohuar se ajo që e karakterizon bashkinë e Fierit është fakti që investohet si në qendër deri në njësinë administrative më të largët. Ai ka veçuar faktin që nga 2015 banorët kanë një qasje tjetër të punëve që kryhen nga bashkia.
Ndërkohë kryetari i bashkisë Armando Subashi ka bërë të ditur që në lidhje me mbetjet bujqësore është biseduar me GIZ-in përmes të cilit do të finalizohet një vend për kompostimin e tyre. Fshati Topojë është fshati më i madh në njësinë e Topojës./Tv Kombi/