Ish tuneli i ushtrisë në zonën e mbrojtur mjedisore të Krastës, në Krujë, është përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Gjatë kontrollit në tunel u gjetën të kultivuar 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Policia informoi sot arrestimin në flagrancë të tre banorë të zonës, njëri prej tyre 21 vjeç, që nga hetimet rezultoi se ushtronte dhe veprimtarinë e paligjshme të lojrave të fatit.
Tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, “lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës,” informoi sot policia.
Dy punonjës të OSHEE-së Fushë Krujë ranë në pranga, si dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, njëri me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së e tjetri me detyrë elektricist i zonës.