Altin Dumani është i dyti në radhë që ka bërë prezantimin e platformës para anëtarëve të KLP-së për kreun e ri të SPAK. Dumani tha se drejtimin e prokurorisë së posaçme nuk e sheh si punë por pasion dhe motivim për të rritur besimin e qytetarëve.
I pyetur nëse i vjen keq që i duhet të heq dorë nga çështjet e ndjeshme që po heton aktualisht, Dumani tha se prokurorët do të kenë të gjithë mbështetjen e tij dhe do të jap ndihmën e tij sa herë ajo të jetë e nevojshme.
“Do vazhdoj që ti ndjek vetë çështjet që kam në hetim. Prokurorët do të kenë gjithmonë mbështetjen time, jo ndërhyrjen. Unë mendoj për të patur sukses duhet frymë dhe punë në grup dhe do angazhohem maksimalisht për të krijuar këtë frymë. Emri nuk ka rëndësi, provat. Ky është parimi i punës time. Emri nuk më bën përshtypje”, tha Dumani.
Për suksesin e punës së tij deri më sot, Dumani thotë se është rrjedhojë e bashkëpunimit cilësor dhe autonomisë së SPAK.
“Suksesi varet nga bashkëpunimi cilësor institucional, nga autonomia e organit të SPAK si nga pikëpamja proceduriale dhe integriteti personal i çdo anëtari të Prokurorisë së Posaçme. Njësitë e huaja gjejnë në SPAK një partner të besueshëm”, tha Dumani.
/rtsh.al/