Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka deklaruar se ligji 20/20 e ka mbaruar në parim misionin e tij, pasi ka ndërprerë ligjet e bëra në 30 vite, dhe mori në shqyrtim secilën tipologji problematikash duke u dhënë zgjidhje.
“Ligji 20 i 2020, është kthyer në magji e përgjithshme. Ky fakt tregon se ligji nga pikëpamja morale ka funksionuar se ka zgjidhur problematikat e mbartura. 20/20-ta ndërpreu ligjet e bëra në 30 vite të shtuara, amenduara, ndërpreu me qëllim që të mos shtoheshin problematika të reja dhe mori me radhë secilën tipologji problemesh dhe i dha zgjidhje. Ligji e mbaroi misionin e tij në parim, në këtë moment del zbatimi i tij që kërkon kohë.
Prej disa vitesh, 3 vite, filluam raportimin brenda institucionit për të kuptuar çfarë nuk funksionon dhe çfarë funksionon brenda sistemit. Ky raport është zmadhuar dhe shton çdo vit informacione”, tha Lame, teksa u ndal më tej te dhënia e shërbimeve, rritja e numrit të aplikimeve te noterët, rivlerësimi i pasurive dhe procesi i legalizimeve.
Sa i përket rivlerësimit të pasurive, Lame tha se ky proces nuk duhet të rihapet në të ardhmen dhe propozoi uljen e taksës 15% që është aktualisht.
“Rivlerësimi i pasurive ishte jashtë radhës së kadastrës. Gjykoj që në të ardhmen s’duhet hapur më rivlerësim pasurish se kemi arritur shifra kolosale. Duhet ulur çmimi i taksës. Sot është 15%. Ulja e taksës do bënte që qytetarët të mos gjejnë rrugë të tjera dhe thonë më mirë paguaj taksën dhe hyj në sistem, se presim sa të bëjnë rivlerësimin. Më mirë të ulet taksa se të hapet sërish procesi i rivlerësimit”, shtoi Lame.
Sa i përket procesit të legalizimeve, kreu i Kadastrës tha se ky proces është në mbyllje, ndërsa shtoi se ka ende objekte që nuk janë futur ende në proces.
“Sivjet kemi arritur në shifrën 2430 mijë legalizime, grafiku ka rënie sivjet. Nga 24 000 legalizime vitin e kaluar, në 20 000 këtë vit. Kjo është gjëja më pozitive që kemi arritur, kjo rënie, sepse tregon se kazani i legalizimeve po mbaron. Fakti që po bije dhe është në rënie, tregon se procesi legalizimeve drejt mbylljes.
I kemi të dhënat e grafikut që nga 2006. Në 2016 ka patur maksimumin, 48 mijë legalizime në vit. Dhe nga ai moment, fillon në rënie. Ka një pikë të ulët në 2019. Ishte viti i fuzionit të institucioneve për shkak të bashkimit të institucioneve dhe ra në 12 mijë dhe sivjet është 20 mijë. Procesi i legalizimeve po shkon drejt mbylljes. Ka ende objekte që s’janë futur në proces. Mbeten vetëm kategoria e pallateve me shumë problematika“, tha Lame.
/rtsh.al/