Ballina Lajme KQZ ka dërguar në Prokurori për verifikim kandidatin e PD për Mallakastrën,...

KQZ ka dërguar në Prokurori për verifikim kandidatin e PD për Mallakastrën, Agron Kapllanaj, ndërkohë vendimi për Qerim Ismailaj, kandidat i PS u shty për në seancën e radhës.

1

 

 

Mallakastra me kandidatët e saj të zgjedhjeve vendore të 14 majit është shndërruar në objekt verifikimi nga KQZ pas akuzave nga drejtues të forcave politike. Në përfundim të verifikimit paraprak të formularëve të vetëdeklarimit (dekriminalizimit) zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në vlerësim të përmbajtjes së deklarimeve të bëra nga kandidatët për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të dërgojë për verifikim të thelluar rreth kandidatë.

 

Një nga emrat e përfshirë në këtë listë është dhe Agron Kapllanaj, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike”, për Bashkinë Mallakastër dhe emri i tij është dërguar në Prokurori për verifikimin e të dhënave të deklaruara prej tij në formularin e dekriminalizimit. Më herët Agron Kapllanaj lidhur me një dënim të dalë në skenë në fb e tij personal ka shpjeguar: “ Si shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 1991, mes shumë vështirësive, emigrova në Itali, ku jetova 10 vjet, gjer në vitin 2000. Në vitin 1995, pasi kurseva disa para nga puna dhe për shkak të moshës së re që kisha, bleva një makinë të përdorur në Firenze….Në datën 26.07.1995, më ka ndaluar në rrugë patrulla e policisë rrugore dhe nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi që dokumentet ishin të falsifikuara, edhe pse unë isha në posedim të mjetit me të gjitha çelësat e saj. Më vonë rashë në dijeni se autoritetet policore italiane më kishin proceduar për atë incident, që në vitin 1995.

Megjithëse unë kam jetuar në Itali në atë periudhë, nga viti 1995 deri në vitin 2000 nuk kam qenë në dijeni dhe nuk kam njoftuar se si kishte rrjedhur çështja. Teksa ishte duke u diskutuar çështja e dekriminalizimit, bëra kërkimet përkatëse dhe më rezultoi se në vitin 2003, pra plot 8 vjet nga ai incident dhe 3 vjet pasi unë kisha lënë përfundimisht Italinë, ndaj meje ishte dhënë një vendim dënimi me dy vjet burgim të pezulluar (që nuk vuhet nëse nuk bën shkelje) dhe me 200 euro gjobë.”

Ndërsa vendimmarrja për verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të subjektit vetëdeklarues z. Qerim Ismail Ismailaj, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste”, për Bashkinë Mallakastër, u shty për në seancën e radhës. Ditën e sotme përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa i kërkoi Ilirjan Celibashit çregjistrimin si kandidat të Qerim Ismailajt, pasi sipas tij, ligji në fuqi nuk e lejon kandidimin e tij për kryetar të Bashkisë Mallakastër. Nga ana tjetër, KQZ ka dërguar në Prokurori për verifikim edhe kandidatin e Partisë Demokratike për Mallakastrën, Agron Faslli Kapllanaj.