Ballina Lajme KPA shkarkon prokurorin Erjon Pano

KPA shkarkon prokurorin Erjon Pano

25

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot (15 prill 2024)  shkarkimin nga detyra të prokurorit Erion Pano, i cili shërbente si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Vendimi u mor sot nga trupa gjykuese e përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë.

Pano u konfirmua në detyrë nga Komisioni I Pavarur I Kualifikimit më 24 nëntor 2022 por vendimi u ankimua nga Komisionerja Publike Irena Nino,duke i kërkuar KPA që ta ndryshojë këtë vendim me arsyetimin se Pano “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”.

“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në germën “b”, të pikës 1 të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 592, datë 24.11.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erion Pano’ thuhet në vendimin e KPA-së

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore dhe është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2005. Nga viti 2013 deri në 2018-ën ai ka ushtruar funksionin e Zëvendësdrejtuesit në këtë prokurori dhe që prej vitit 2020 është komanduar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.