Pas 3 javësh, pedagogët vendosën që të ndalin bojkotin dhe sot do të kthehen në auditore. Në një dalje për mediat. kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi paralajmëroi se nuk kanë hequr dorë nga kërkesat. Ai tha se do të ketë bojkot të provimeve të shkurtit nëse qeveria nuk i merr parasysh. Kovaçi u shpreh se ishte e domosdoshme që t’i jepnin fund bojkotit duke qenë se studentët po shpenzonin para për jetesën në Tiranë. Ai thekson se zgjodhën këtë veprim për të mos dëmtuar vitin akademik.
“Dua të denoncoj faktin që 3 universitete kanë premtuar që do financojnë 8%. Ne jemi për 30%. Në Shkodër është miratuar 2%. Kjo është skandal. Nuk ka asnjë shans që të parashikojë financimin e 8% shtesë. Ne jemi që ky 8% s’duhet të jepet nga universitetet. Nuk ka asnjë mundësi që të financohen pagat e pedagogëve. Shumë shpejt do të dëgjohemi se çfarë do të ndodhë me këtë 8%. Nëse deri në shkurt nuk finalizohen kërkesat tona, do ketë bojkot të provimeve. Erdhi situata e nevojës për të mos dëmtuar procesin arsimor. Nuk kishte kuptim për bojkot më shumë se 3 javë. Zëvendësimi i 3 javëve nuk ka asnjë problem. Qëndrimi ndaj qeverisë nuk është zbutur. Do ketë bojkot më të plotë në rast se nuk reagon qeveria”, tha Kovaçi.