Ballina Lajme Kosovë/ Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it

Kosovë/ Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it

0

Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ministri në Facebook.

Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.

Gazetarët e REL-it thanë që është dëgjuar edhe një shpërthim.

Ata gjithashtu nga terreni raportojnë se njerëzit po mblidhen afër shkollës së mesme teknike në Mitrovicën e Veriut, afër lagjes “Mëhalla e Boshnjakve” ku ndodhet një numër më i madh i Policisë së Kosovës.

Gazetarëve nuk po lejohet të fotografojnë apo filmojnë këto zhvillime.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.

Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Tensionet kulumuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri./ REL