Ballina Lajme Kontrolle në hapësirën detare, bllokohen 11 mjete lundruese

Kontrolle në hapësirën detare, bllokohen 11 mjete lundruese

1

Policia e Shtetit ka vijuar monitorimin e hapësirës detare, nga toka dhe deti, për të garantuar sigurinë e pushuesve.

Bëhet me dije se nga Dhërmiu në liqenin e Komanit, janë bllokuar 11 mjete lundruese (4 Jet Ski, 1 skaf, 1 gomone dhe 5 motovarka artizanale), pasi u konstatuan në paligjshmëri. Drejtuesit e këtyre mjeteve lundurese u ndëshkuan me gjoba që varionin nga 10 000 deri në 200 000 lekë të rinj.

Konkretisht në Dhërmi, në Durrës dhe në Shëngjin shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 3 mjete lundruese Jet Ski që lundronin në zonën e përcaktuar për pushuesit. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masë gjobë nga 100 000 lekë të rinj secili.

Në Palasë, Policia Kufitare ka bllokuar 1 tjetër mjet lundrues Jet Ski, pasi pronari i këtij mjeti, e ushtronte aktivitetin e dhënies me qira të mjeteve lundruese, pa u registruar në organet kompetente.

Gjithashtu në Dhërmi, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë të rinj pronarin e një mjeti lundures skaf, pasi nuk dispononte dokumentacionin përkatës për të dalë në det. Ndërkaq, në Radhimë, Vlorë, këto shërbime kanë ndëshkuar me masë administrative 100 000 lekë të rinj, pronarin një mjeti lundrues gomone, pasi ishte bregëzuar në zonë të ndaluar, pranë vijës bregdetare të plazhit.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit kanë ndëshkuar me masë administrative  300 000 lekë të rinj, kapitenin e një motopeshkarexhe libiane, pasi u largua nga porti, pa lajmëruar kapitenerinë detare.

Policia Kufitare Shkodër ka vijuar kontrollet në liqenin e  Komanit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve dhe turistëve, që përdorin mjete lundruese për turizëm ditor.

Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 5 varka artizanale dhe kanë ndëshkuar administratorët e tyre, me masë administrative nga 10 000 lekë të rinj secili.

Policia njofton se do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe në atë lumore, me qëllim verifikimin e dokumentacionit të mjeteve lundruese, përcaktimin e sigurisë së këtyre mjeteve lundruese që përdoren nga qytetarët dhe nga turistët, për turizëm ditor, si dhe për zbatimin e rregullave të lundrimit, nga përdoruesit e këtyre mjeteve.