Rrethimi i një prone në afërsi të Kepit të Rodonit në Durrës u bë “mollë sherri” mes banorëve të fshatit Shetaj dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike, të cilët ditën e djeshme, 29 tetor janë përplasur fizikisht dhe janë goditur me sende të forta.
Policia e Durrësit ka arrestuar 8 persona për ngjarjen, mes tyre edhe ish-deputeti Mark Frroku.
Mësohet se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.
Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte, ndërsa në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.