Thumana mirëpriti këtë të shtunë (28 tetor) konferencën mbi sportin si motor zhvillimi. I pranishëm në aktivitet, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rindërtimi i Thumanës, pas shkatërrimit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
“Nuk besoj se do ta imagjinonte dot njeri që në ato ditët e tmerrshme, ku Thumana ishte epiqendra e tërmetit, në jo shumë vite më pas ne do mblidheshim këtu me kaq shumë kampionë dhe me praninë e gjithë federatave të sportit për të shfrytëzuar infrastrukturën e një mjedisi sportiv nga më të mirët në Shqipëri sa i përket mjediseve sportive komunitare. Mosbesimi ishte total dhe t’ju thoshe atyre që do i bëj të gjitha, do i bëj më mirë, ishte si t’i thoshe do i bëj të gjitha, po hajde tani dëgjoni dhe ca rrena. Edhe një ndër gjërat që ju thash atyre që diskutuam atë natë se njeri kishte një merak për fushën, i thash do bëj më shumë fusha. Edhe u bën gjërat, por sepse u bashkuan shumë forca”, tha Rama.
Ndalur te lëvizja sportive në shkolla, kreu i qeverisë e konsideroi atë një prioritet, teksa theksoi se qëllimi është që të kthehet në traditë.
“Kemi vendosur gurin e themelit të lëvizjes sportive në shkolla. Kemi humbur jashtëzakonisht shumë kohë. Lëvizja sportive në shkolla nuk është për ata që do bëhen sportistë, por për shumë më tepër arsye, por është edhe baza për të nxjerrë talente ku nëse nuk e kamë mundësinë të stërviten nuk mund të evidentohen. Vitin e ardhshëm i kemi dhënë Komitetit Olimpik një tjetër ndihmë financiare për lëvizjen sportive në shkolla që kjo të mos jetë më një ngjarje, por traditë. Duhet të zgjerojmë disiplinat dhe të përfshijmë dhe federata e tjera. Lëvizja sportive në shkolla është një prioritet kryesor për ne”, u shpreh kryeministri.
/rtsh.al/