Ballina Kulture Komedia “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit” premierë në teatrin “Bylis”

Komedia “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit” premierë në teatrin “Bylis”

2

Premiera e komedisë “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit” ka sjellë tek spektatori fierak argëtim dhe të qeshura pa fund në sallën e teatrit “Bylis”.

Spektatori fierak që ka mbushur përplot sallën e teatrit ka duartrokitur nxehtësisht lojën brilante dhe me nivel të lartë artistik e të shkëlqyer të aktorëve Klajdi Marku, Xhoana Karaj, Miola Sitaj,Astiano Shehaj dhe Anri Celibashi. Fabula e kësaj komedie është përcjellë me emocion te publiku i pranishëm duke marrë kështu vlerësimet përmes duartrokitjeve të tij.

Loja e trupës aktoriale mbajtën të “mbërthyer” deri në fund publikun fierakë, që kishte mbushur plot sallën e teatrit. Vlen të pëmendet puna regjisoriale e shkëlqyer e regjisorit Armando Bora, duke sjellë përmes lojës së aktorëve, plastikës interpretuese, humorit, anën komike të dy kolosëve botërorë të letrave ruse, Tolstoit dhe Çehovit, vepër e dramaturgut të njohur kroat, Miro Gavran. Pak fjalë mbi komedinë. Tolstoi do të ndjekë kursin e vardisjes, ndërsa Çehovi do të bëjë avokatin e ndjenjave! Është një mal situatash – intrigash që do të shtresohen në damarët e rrjedhës së përgjithshme dramaturgjike e dramatike të komedisë së Miro Gavran, “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit”.

Në tryezën e Tolstoit, njëherësh në tavën e kuzhinës së tij do të piqet e digjet kultura familjare dhe ajo letrare, meqë në pjatën e drunjtë do të serviren dy emra të mëdhenj të letrave.  Personazhet e Gavranit me thikë e pirun do ngacmojnë ndjenjat, qofshin ato format mashtrimi ose shkarkim reputacionesh. Çehovi shfaqet në konakun e Tolstoit për të detektuar e dëshmuar frekuencat e tij njerëzore e artistike para mjekrës së një shkrimtari të madh.

Intriga do niset me një duel libri, ku do të thureshin bëmat e Tolstojit nga Çehovi, megjithëse rakia do të bëhet sherr dramaturgjik. Teksti si format vjen si kontekst sarkastik në raport me idenë, tematikën me karakterin e personazheve, sidomos me rrethanat ku ato manovrojnë njëherësh me elaborimin fabular që çon deri në skajet e një komedie situatash. Rrjedha e lëngët e dramës e zhyt vrojtuesin në thellësitë e oqeanit meditativ, i jep mundësi notimi në sensin intrigues gjersa humori i holluar përshfaqet arsyeshëm përgjatë përecjes dramaturgjike. Dueli në mes të dramaturgut – Çehov dhe shkrimtarit të kopertinave të trasha, Tolstoi, është intriga bazë përkrah idesë, temës dhe arsyes si shtytje atakuese mes dy kolosëve. Nëntekst i dramës janë gratë, si pika më cinike e dramës.

Në darkën e përvjetorit të familjes Tolstoi nga një kontekst ideor do të shpërfaqet intimiteti familjar, ku do përjashtohej mermeri ose monumentaliteti i tyre. Paprekshmërinë e tyre autori do e zhvoshë – demitizojë nga misri i kultit hyjnor për të kuptuar se kjo kategori shoqërore janë dhe njerëz para së gjithash, kanë cilësi njerëzore, sikundër që mund të kenë ndjenjën e mashtrimit në xhepat e tyre mendorë, ose në gjestet e tyre, siç është dëfrimi dhe aferat korruptive para grave.

Lartmadhëria është argument ofertimi ose ngacmimi përderisa intriga do të ishte këmishë respektivisht kopertinë librash në rrethana konaku. Shkrimtarëve të mëdhenj, sipas autorit të dramës iu ka hije nëse flenë me gra të tjera në një natë festive.

Autori përshkallëzon edhe të mëdhenjtë, bën pazare me përqindje, duke vjellë çdo dëshirë e humbëtirë, çdo ndërskamcë e vardisje.

Mbase alkooli del të jetë “sherbet“ konfliktesh mes çiftesh dhe në çifte. Autori do ironizojë deri në përtejlogjikë me personazhet klasike botërore, me vlerat e murosura të tyre në heronj të paprekshëm. Kjo komendi brilante do të vijë dhe sonte në orën në orën 18.00 në sallën e teatrit “Bylis”./Tv Kombi