Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka prezantuar kandidatin e bashkisë së Roskovecit Erdit Hazizaj dhe kandidaten e bashkisë së Patosit Sofije Alushaj.
Në ndalesën e tij në Roskovec kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha
tha se, “paraqes para jush kandidatin për kryetar të ardhshëm të bashkisë së Roskovecit, Erdit Hazizajn, një nga bijtë tuaj më të mirë, më të aftë, më të ndershëm, kandidat i cili së bashku me 60 kandidatët e tjerë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në mbarë vendin nuk janë më kandidatë të kryetarit të partisë, të kryesisë së partisë, por janë kandidatë të votës tuaj, të besimit tuaj, janë kandidatë të lirisë”.
Berisha tha se, “ju garantoj se Erdit Hazizaj, me përkushtim të madh, me ndershmëri, aftësi do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar jetën tuaj, për të përmirësuar kushtet e jetës tuaj. Do të përdorë me transparencë të plotë para secilit prej jush, çdo qindarkë të taksave tuaja. Do të bëjë gjithçka në përputhje me programin e partisë që i përket, për suksesin e femrave dhe të biznesit në këtë bashki. Ne jemi parti e taksave të ulëta, ndaj dhe me fitoren e tij, barra fiskale për të gjitha bizneset në këtë zonë, do të pësojë rënie shumë të madhe”.
Po ashtu Berisha prezantoi kandidaten e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Patos, Sofije Alushaj: Një kandidate shembullore
“Shpreh kënaqësinë time të madhe që sot paraqes këtu para jush kandidate për qytetare të parë të bashkisë një qytetare shembullore, një shërbëtore të përkushtuar të qytetarëve, të banorëve të Patosit, Dr.Sofije Alushaj. Paraqes një zonjë të përkushtuar, dhembshur, të devothsme dhe të aftë, e cila ka vendosur me besimin tuaj, t’u shërbejë ju, të menaxhojë dhe të drejtojë këtë qytet me besimin tuaj”, tha Berisha në fjalën e tij.
Ai ka shigjetuar dhe kandidatin e PS Fatjon Duraj teksa ka pyetur:
“Cilin kandidon Edi Rama këtu? E keni të qartë se kush është Fatjon Duraj”, vijoi Berisha.
Së pari, është një shushunjë që vjen nga OSSHE. Një shushunjë e pashpirt. Se janë Fatjonët e OSSHE që presin fatura për arrestime si kund në asnjë vend të botës. Të 38 mijë qytetarëve në vitin 2015 se nuk kishin paguar faturat që ua shumëfishonin. Askund në botë një çështje civile, nuk trajtohet si çështje penale, përveçse se OSSHE dhe Edi Rama. Dhe kjo specie e dalë nga OSSHE është përhapur edhe në Librazhd. Ka emëruar një tjetër nga OSSHE i cili është përgjegjës për burgosjen e të paktën 200 qytetarëve dhe i sjell këtu. Vendin e kanë në burg, ata të cilët kanë shkelmuar të drejtat e qytetarëve, kanë shndërruar çështjet civile në çështje penale, kanë kryer krime antikushtetuese”, theksoi Berisha / Tv Kombi