Kleviol Ahmeti, i njohur në rrjete sociale si Cllevio Serbiano është vënë nën hetim nga policia pasi u shfaq në banesë duke keqtrajtuar një qen. Në një video të xhiruar nga vetë ai duket se si godet vazhdimisht kafshën shtëpiake.
Lushnjë Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një shtetas, në ambientet e banesës, duke keqtrajtuar një kafshë shtëpiake (qen), ju sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas publikimit të pamjeve filmike, referuan materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasit K. A., 36 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”. 36-vjeçari është aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.