Gjithnjë e më shumë vajza po provojnë zgjatjen e qerpikëve me qëllim dukjen sa më bukur dhe shmangien e grimit të përditshëm në zonën e syve. Por kjo ka dhe një kosto.
Tregu i zgjatjes së qerpikëve u vlerësua në 1.36 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe parashikohet të arrijë në 2.31 miliardë dollarë deri në vitin 2028.
Dhe sipas një sondazhi të fundit, shkruan Metro.uk, zgjatimet e qerpikëve janë një nga trajtimet më të kërkuara të bukurisë nga konsumatorët.
Kur ato vihen nga një person i kualifikuar dhe i kujdesshëm, mund të jenë një mënyrë e shkëlqyer për të formësuar sytë dhe për të pasur qerpikë të plotë dhe të trashë pa përdorur grim për një kohë të gjatë.
Por ka një anë më të errët të këtij trajtimi bukurie që mund të rezultojë në shqetësime serioze shëndetësore.
Kirurgia më e mirë estetike, Dr Elizabeth Hawkes ka apeluar që femrat të edukohen lidhur me sigurinë e zgjatimeve të qerpikëve përpara se të marrin në konsideratë këtë teknikë të bukurisë, pasi përdoruesja e TikTok @LilDanie.1 – emri i vërtetë Danie – postoi një video duke zbuluar se ajo gati sa nuk humbi shikimin pas zgjatjes së qerpikëve për shkak të infektimit.
Videoja e Danie është pëlqyer nga rreth 28,000 njerëz dhe është parë më shumë se 700,000 herë.
Në postimin viral, Danie tregon se dy javë pas zgjatjes së qerpikëve, asaj i doli një gungë e vogël në sy, e cila u përkeqësua. Një mjek ia kuroi gungën dy herë, por më vonë ajo u referua në një klinikë kirurgjike, ku iu tha se duhej ta operonin menjëherë pasi ajo ishte afër humbjes së shikimit.
Dr Elizabeth, një konsulente kirurge okulistike dhe okuloplastike, tha se njerëzit duhet ta konsiderojnë me kujdes zgjatjen e qerpikëve.
Ajo tha se ‘videoja e Danie’s TikTok është ekstreme, por padyshim që ka probleme higjienike me zgjatjen e qerpikëve dhe rreziku i infeksioneve është rritur.
Qerpikët tanë nuk janë vetëm për qëllime estetike mbi sy, ata bëjnë një punë jetike duke mbrojtur sytë, duke ndihmuar devijimin e çdo gjëje që vjen drejt syrit që mund ta dëmtojë atë’.
“Unë patjetër do të paralajmëroja dhe apeloja t’i vendosni qerpikët fals për raste të veçanta, në vend të përdorimit të përditshëm. Mbajtja gjatë e tyre mund të dëmtojë sytë dhe të shkaktojë infeksione.’
Në veçanti, është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm ndaj një gjendjeje të quajtur blefarit, e cila shkakton fryrje të qepallave, kruarje dhe mund të jetë rezultat i aplikimit të pakujdesshëm apo higjienës së keqe gjatë zgjatjes së qerpikëve.
“Fillon me grumbullimin e mbeturinave dhe baktereve rreth bazës së qerpikëve”, tha doktoresha.
“Qepallat janë unike dhe në mes të qerpikëve tanë, ne kemi gjëndra të vogla të quajtura meibomian, të cilat janë gjëndrat e vogla të vajit që rreshtojnë skajin e qepallave. Me kalimin e kohës, këto mund të bllokohen dhe të çojnë në humbjen e qerpikëve.
Me zgjatjet e qerpikëve, njerëzit shpesh nuk janë shumë të kujdesshëm në lidhje me pastrimin e tyre pasi nuk duan të prishin qerpikët fals, kështu që blefariti ndodh më shpesh”, shtoi Dr Elizabeth.
Mos harroni të bëni gjithmonë një pushim nga zgjatjet e qerpikëve. Ato nuk janë për përdorim të përditshëm, edhe nëse njihni dikë që i mban gjatë gjithë kohës dhe duket se nuk ka probleme. Ruajini ato për raste të veçanta, si dasma, për pushime apo kur keni ditëlindjen.
Përgatiti Panorama